Nga Keti Banushi
Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) është mbajtur seanca e radhës për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë. Seanca u shty pasi në sallë nuk u paraqit avokatja e biznesmenit Meriman Palushi.
Treshja e gjyqtarëve, Ëngjëllushe Tahiri kryesuese, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj, vendosën pezullimin e afateve të paraburgimit për 3 të pandehurit, Erion Veliajn, biznesmenin Elman Abule dhe policin e Burgjeve Fatjon Baci.
Sakaq, Veliaj, i cili sot nuk ishte i pranishëm në seancë, kishte paraqitur në gjykatë një deklaratë ku kërkonte që të përfaqësohej nga ish-deputeti i PS Plarent Ndreca. Kjo kërkesë u kundërshtua nga SPAK me argumentin se Plarent Ndreca, gjatë fazës paraprake të hetimeve për kryebashkiakun, është marrë në pyetje si person në dijeni për çështjen. Ish-deputeti ka replikuar duke thënë se deklarimet në fazën paraprake, nuk përbëjnë provë. Pasi trupi gjykues u tërhoq për vendim, legjitimoi Plarent Ndrecën si avokat të Erion Veliajt me argumentin se nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Altin Dumani: Plarent Ndreca është pyetur në fazën e hetimit paraprak dhe jemi në kushtet ku nuk mund të legjitimohet si mbrojtës.
Plarent Ndreca: Nuk jemi në kushtet e papajtushmërisë. Deklarimet në hetimet paraprake nuk përbëjnë provë.
Plarent Ndreca: Kam një kërkesë si detyrim ligjor. Në vlerësim të ligjit, nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk përbëjnë provë të dhënat e hetimit paraprak. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, por edhe për kompani, nëse kam njohje, por nuk rezulton. Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie.
Altin Dumani: Është vlerësimi juaj nëse e legjitimoni, sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të ardhshëm; kaq kishim këtë merak.
Mandej, në sallë kanë vijuar përplasjet mes dyshes së prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, me palën mbrojtëse të Veliajt.
Pjesë nga diskutimet në seancë
Ols Dado: Procesverbali e thotë qartë. Në zbatim të urdhrit kanë shkuar në IEVP Durrës dhe kanë kontaktuar me Erion Veliaj. Që në fillim, Erion Veliaj ka shfaqur sjellje kundërshtuese, edhe fyese ndaj hetuesve të BKH. Ka qenë reagim jo etik dhe fyes, duke refuzuar të marrë aktet. Në këto kushte është larguar dhe ka vënë në dijeni të gjithë zinxhirin në burg, që nga juristët e deri tek drejtuesit. Ata të gjithë së bashku kanë shkuar t’i sqarojnë Erion Veliajt arsyen. Është kundërshtuar dhe Veliaj i është drejtuar me fjalët “Gruaja ime abortoi dy herë. Më keni shkatërruar. Ols Dado ka 30 apartamente. Ky pis, abortin e dy fëmijëve të mi s’kam për ta falur.” Më pas, në një dhomë janë vendosur nga Samet Gurguri dhe juristët e IEVP dokumentet dhe aktet në paraburgim.
Aktet i janë dorëzuar në formë të skanuar që më 24 korrik 2025. Ka 8 muaj që i ka marrë. Ka pasur të gjitha mundësitë për t’u njohur me aktet. Erion Veliaj, në më shumë se një rast në kërkesat për zëvendësim mase, thotë se ka gjetur në fashikuj shkresa kontrate, pra ai i ka lexuar aktet. Ose i ka njohur, ose e kanë njohur avokatët me aktet, pra është në përputhshmëri. Megjithatë, gjykata ka vendosur t’ia dorëzojë. Tani del që do riinventarizohen; këtë kërkon që të shtyjë procesin, që ta kthejë procesin mbrapa në kohë?
Ndreca: Merrni masa që i pandehuri, bashkë me avokatin, të marrë aktet. Aktet ai i ka marrë, po s’e di. Hajde merri. Por nuk i thuhet “na merri, ja ku i ke”. Ata kanë shkuar pa njoftuar fare. I kanë thënë në qeli, jo në dhomë pritjeje: “Merri, ja ku i ke”. Ka një vit në burg. Patjetër që përfshihet nga emocione dhe do të ketë reagim. Si jepen aktet pa procesverbal? Aktet duhet të ballafaqohen dhe të njihet në mënyrë reale me to. Jam vetë i gatshëm që të jem prezent për të asistuar klientin dhe t’i marrë ashtu siç duhet.
Altin Dumani: BKH nuk është urdhëruar nga gjykata për ta njohur me aktet. Ki kujdes kur përmend agjentët e BKH dhe mënyrën si u drejtohesh. Kanë zbatuar vendimin e gjykatës. Nuk ka akte “hopshe”; bëj verifikimin dhe shko njihu me fashikujt. Mos improvizo situata që nuk ekzistojnë. Ne flasim me akte, jo me hamendje si ju.
Ols Dado: Në fashikuj ekziston inventari dhe e keni aty. Shkoni dhe merreni.
Sakaq, Veliajt pas 1 viti në izolim, me miratim të GJKKO-së, i janë dorëzuar në qeli 28 mijë faqe të 72 fashikujve të dosjes hetimore në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë. Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.