Pas përpjekjeve të dështuara për të bllokuar publikimin e skandalit seksual nga emisioni STOP, anëtari i KLP-së Olger Eminaj mësohet se është arratisur nga Shqipëria. Sipas burimeve, vetëm një orë para publikimit të aferës seksuale me një denoncuese nga STOP, prokurori Eminaj, njëherësh anëtar i KLP, ka kaluar kufirin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm. Po sipas burimeve, Eminaj është larguar drejt Greqisë rreth orës 19 të mbrëmjes së djeshme.
Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përmes një reagimi laraman dhe vetëdiskretirues, ka vendosur të ‘gëlltisë viagrën’ e prokurorit Olger Eminaj, duke ia lënë çështjen në derë kreut të ILD-së, Artur Metani, i njohur si gjumashi i ILD. KLP nuk është distancuar nga sjelljet e papërshtatshme me përmbajtje seksuale të anëtarit Eminaj, duke thelluar kështu mosbesimin e publikut tek drejtësia e re.
Ndërkaq, në lojë kanë hyrë edhe SPAK-u bashkë me BKH-në. Gazetari Elton Qyno shkruan se gjatë mëngjesit të sotëm, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë paraqitur në ambientet e emisionit “Stop” për të marrë 1 kopje të CD-së së emisionit dhe kryer këqyrjen e materialeve gazetareske që u përdorën për transmetim televiziv.
Njëherësh, Dritan Prençi, ka urdhëruar BKH-në të shkojë në ambjentet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të sekuestruar pamjet filmike dhe njëherësh sekuestrimin e ankesës së bërë nga qytetarja R.M, ndaj prokurores së Tiranës Rovena Zoto.
Ankesa e R.M është bërë me shënim nga kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani, duke ja kaluar për shqyrtim relatorit të ankesës, Olger Eminaj.
Pas këtij momenti, Eminaj hyn në kontakt përmes “Facebook” me ankuesen R.M dhe më pas në “Whatsapp”, duke i kërkuar favore seksuale gruas që kishte për detyrë t’i jepte një përgjigje për ankesën që ajo kishte bërë.