Ilir Meta ka reaguar nga qelia e burgut, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi të gjitha kërkesat për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave në dosjen “Meta”.
Në një status publik, Meta e cilësoi procesin si “drejtësi me regji”, ndërsa theksoi se vendimi i fundit përbën një “gjykim me risi”.
Sipas tij, edhe pse gjykata ka pranuar disa nga pretendimet e mbrojtjes për mungesë të qëllimshme të veprimeve hetimore nga ana e akuzës, çështja është dërguar për gjykim pa u kryer më parë hetimet e nevojshme.
Meta shprehet se kjo krijon një situatë të pazakontë, ku sipas tij, procesi gjyqësor do të zhvillohet paralelisht me hetimet.
Ai shton se pret nisjen e gjykimit në themel dhe fton gazetarët dhe trupin diplomatik të ndjekin çdo seancë, duke premtuar se do të “çmontojë publikisht” akuzat që, sipas tij, përmbajnë gënjeshtra dhe falsifikime.
Ndërkohë, më herët, gjyqtarja Irena Gjoka bëri të ditur se pas rrëzimit të kërkesave paraprake, mbetet për t’u vendosur nëse dosja ku janë të përfshirë 5 të pandehur, mes tyre edhe Monika Kryemadhi, do të kalojë për gjykim në themel.
Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.
I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.