AIDA është kthyer në hallkën që lidh paratë publike me oligarkët, ndërsa Laura Saro, e ardhur nga ortakëri private të lidhura me Bankers Petroleum, sot mban në dorë fondet shtetërore, fondet e BE dhe filtrin e investimeve strategjike, nën mbrojtjen politike të Edi Ramës, pa lista përfituesish dhe pa asnjë llogaridhënie…
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve nuk është një institucion i dorës së dytë dhe as një zyrë informimi për biznesin, por është struktura që shpërndan grante shtetërore për ndërmarrjet e vogla, orienton fonde të Bashkimit Evropian dhe ndjek nga afër dosjet e investimeve strategjike, duke u bërë pika ku kalojnë para publike dhe vendime që prodhojnë përfitim ekonomik për kompani private.
AIDA ka në dorë fondet për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, fonde që dalin nga buxheti i shtetit dhe jepen si mbështetje e plotë, deri në 2.5 milionë lekë për shpenzime korrente dhe deri në 1.5 milionë lekë për shpenzime kapitale, pa kërkuar kthim dhe pa marrë risk financiar, ndërkohë që për periudhën 2020–2026 nuk ekziston asnjë listë publike përfituesish që të tregojë se kush i ka marrë këto para, sa herë i ka marrë dhe mbi çfarë vendimi.
Në mungesë të këtyre listave, fondet për bizneset e vogla nuk mund të kontrollohen nga publiku, sepse nuk dihet nëse po shkojnë tek subjekte që realisht kanë nevojë apo tek kompani që kanë akses dhe lidhje për të hyrë në këtë skemë.
Përveç fondeve shtetërore, AIDA luan rol në orientimin dhe asistimin e fondeve të Bashkimit Evropian, kryesisht përmes programeve IPA dhe IPARD, ku vetëm IPARD sjell rreth 17 milionë euro në vit për sektorin agro-ushqimor, ndërsa IPA mbulon konkurrencën, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik, por edhe këtu nuk ka një pasqyrë të qartë publike që të tregojë se cilat kompani shqiptare përfitojnë, cilat asistohen në përgatitjen e dosjeve dhe cilat mbeten jashtë.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e pushtetit të AIDA-s lidhet me investimet strategjike, sepse kjo agjenci ndjek dhe përgatit dosjet që përfundojnë në miratim për projekte që përfitojnë tokë shtetërore me qira simbolike, procedura të përshpejtuara për leje, infrastrukturë të paguar nga shteti dhe lehtësime fiskale, ndërkohë që vlera totale e projekteve aktive kalon 4.5 miliardë euro.
Shumica e këtyre projekteve i përkasin kompanive vendase, jo investitorëve të huaj, ndërsa në disa raste të dokumentuara kompani me kapital minimal kanë marrë projekte me vlera dhjetëra milionë euro, duke ngritur pikëpyetje mbi kriteret reale të përzgjedhjes dhe rolin që luan AIDA në këtë proces.
Edhe vetë buxheti operacional i AIDA-s nuk publikohet në detaje, duke e bërë të pamundur të dihet se sa shpenzon kjo agjenci për paga, konsulenca, udhëtime dhe aktivitete të tjera, ndërkohë që menaxhon para publike dhe fonde evropiane.
Në krye të këtij institucioni ndodhet Laura Saro, e emëruar drejtoreshë ekzekutive në shtator 2023, e cila sot ka në dorë shpërndarjen e fondeve për bizneset e vogla, orientimin e fondeve të Bashkimit Evropian, fondet për startup-e dhe ndjekjen e investimeve strategjike, pra të gjitha hallkat kryesore ku kalojnë para dhe privilegje ekonomike.
Para se të merrte këtë funksion, Laura Saro ka qenë e përfshirë në aktivitet privat përmes kompanisë PCG, ku ka pasur ortakëri me Besnik Çerekja, një emër që del në dosjen e Bankers Petroleum, ku përmes faturimeve dhe kontratave janë përfituar miliona euro, dosje që prej vitesh ka ngritur pikëpyetje mbi rrjedhën e parave dhe përfituesit realë.
Bilancet e PCG tregojnë se kompania ka qarkulluar shuma të konsiderueshme parash pa pasur asete apo investime. Vetëm në vitin 2020, PCG ka deklaruar mbi 230 mijë euro të ardhura nga shërbime, në një periudhë kur klienti kryesor lidhej me Bankers Petroleum, kompani që ndodhet në qendër të një dosjeje të rëndë për rrjedhën e parave dhe përfituesit e kontratave. Në të njëjtën kohë, PCG nuk rezulton me pasuri, pajisje apo investime, duke ngritur pikëpyetje mbi natyrën e këtyre faturimeve dhe lidhjen e tyre me skemën më të gjerë të pagesave të Bankers.
Besnik Çerekja rezulton të ketë përfituar rreth 4.4 milionë euro nga Bankers Petroleum, ndërkohë që Laura Saro, si ortake në PCG, nuk figuron në dosjen e Prokurorisë së Fierit, duke ngritur pyetje mbi mënyrën si është ndërtuar hetimi dhe pse disa përfitues janë trajtuar ndryshe nga të tjerët.
Çfarë është PCG-OJF (S.I.G Foundation)?
Pse PCG donon 15% të të ardhurave për një OJF?
A është kjo një mënyrë për të transferuar fonde?
Cilët janë përfituesit përfundimtarë të kësaj OJF?
A ka lidhje me Bankers Petroleum ose të tretë të lidhur?
Sot, e njëjta Laura Saro ndodhet në krye të AIDA-s, një agjenci që menaxhon fonde shtetërore, fonde evropiane dhe procedura që prodhojnë përfitim të drejtpërdrejtë për kompani private, duke krijuar një konflikt të hapur interesi mes së shkuarës dhe funksionit publik. /Pamfleti