Policia aksion në Fushë Krujë për kapjen e Ylli Zallës, “mjeshtri i tritolit” i shpëton arrestimit

Kronike

Publikuar: 17/03/2026

Policia aksion në Fushë Krujë për kapjen e Ylli Zallës, “mjeshtri i tritolit” i shpëton arrestimit

Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të gjerë në zonën e Fushë-Krujës për kapjen e një prej personave në kërkim, Ylli Zalla, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë. Sipas burimeve, forca të shumta policie rrethuan zonën e Zallës pas informacioneve operative për vendndodhjen e tij, por ai arriti të largohej pak para ndërhyrjes.

Operacioni u zhvillua në vijim të kërkimeve për Zallën, i shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025 për armëmbajtje pa leje dhe dyshime për përfshirje në aktivitete kriminale më të gjera. Pavarësisht kontrolleve të shumta dhe pranisë së shtuar të policisë në terren, ai nuk u vu në pranga, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Zalla lidhet edhe me hetimet për atentatin e ndodhur në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Dyshohet se nga banesa e tij në Fushë-Krujë është siguruar automjeti i përdorur nga autorët, si dhe armët e krimit, megjithatë këto janë ende në fazë verifikimi dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Në një kontroll të mëparshëm në banesën e Zallës, policia zbuloi një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe lëndësh shpërthyese, çka shtoi dyshimet për përfshirjen e tij në ngjarje të rënda kriminale. Sipas të dhënave, u sekuestruan kallëpe tritoli, granata dore, armë zjarri, mijëra fishekë, bomba me telekomandë dhe një sasi lënde narkotike.

Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai është arrestuar edhe më parë, përfshirë në vitin 2014 për prodhim të bombave artizanale dhe vepra të lidhura me armët dhe narkotikët. Në atë kohë, ai është hetuar edhe për lidhje të mundshme me grupe ekstremiste dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme, megjithëse këto mbeten në nivel dyshimi dhe kërkojnë verifikim të mëtejshëm.

Gjithashtu, më herët ai është përfshirë në konflikte dhe kërcënime, përfshirë një rast ndaj një biznesmeni në Fushë-Krujë, çka e ka mbajtur vazhdimisht në vëmendje të autoriteteve.

Policia thekson se operacioni në Fushë-Krujë është pjesë e një strategjie më të gjerë për goditjen e personave në kërkim dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale. Ndërkohë, burimet bëjnë me dije se kontrollet në zonë do të vijojnë, ndërsa po hetohen edhe personat që mund ta kenë ndihmuar Zallën të shmangë arrestimin.

/pamfleti