Sabah Nuzi dyshohet nga hetuesit si porositësi i vendosjes së tritolit në automjetin e 36-vjeçarit Oltjon Klosi, ngjarje e ndodhur më 10 mars në Tiranë.
Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, i cili sipas hetimeve konsiderohet porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Në këtë ngjarje, Sabah Nuzi dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit.
Sipas të dhënave nga hetimet, Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminalë. Në vitin 2020, ai u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë zjarri në ajër dhe kishte kërcënuar një person.
Ndërsa më herët, në vitin 2012, kur ishte vetëm 18 vjeç, ai u arrestua për plagosjen me armë zjarri të tre personave.
Aktualisht, Sabah Nuzi ndodhet i paraburgosur në burgun e Fushë-Krujës, ku akuzohet për disa vepra të rënda penale, mes tyre: “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Organizata kriminale”.
Sabah Nuzi kishte konflikt prej disa kohësh me Oltjon Klosin për shkak të një shume prej 15 mijë eurosh. Borxhi është marrë jashtë shtetit, në Spanjë, ku sipas burimeve pranë policisë dyshohet se janë para të pazareve të drogës. Klosi pretendonte se e kishte shlyer borxhin, por Nuzi nga ana tjetër pretendonte se i dëmtuari i detyrohet edhe 15 mijë euro. Pasi Klosi ka refuzuar për të paguar shumën, Sabah Nuzi ka urdhëruar grupin e të arrestuarve që ti vendosin Oltjon Klosit tritol te makina.
32-vjeçari Jurgen Gjonaj është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive i ndihmuar nga Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërsa Geris Molla, Dorjan Hamolli dhe Dorjan Hamolli kanë shoqëruar me automjet Jurgen Gjonajn për të vendosur tritolin.