Gjatë pesë viteve të fundit, rreth 24.5 milionë euro kanë dalë nga arka e shtetit, duke kaluar në llogaritë e dy kompanive në pronësi të biznesmenit Renido Petritajt, në zbatim të kontratave për punë publike, në shumë raste abuzive. 24 milionë euro kanë kaluar në llogaritë e kompanisë së ndërtimit Rafin Company dhe rreth 500 mijë në llogaritë e kompanisë tjetër General Trading.


Kompania e ndërtimit Rafin Company është themeluar 10 vite më parë nga 35-vjeçari nga Skrapari, Renido Petritaj, fillimisht me emrin 2F Construction, me kapital 100 lekë.

Pas themelimit, Petritaj e pezulloi kompaninë, duke e aktivizuar në vitin 2016. Nga viti 2016 deri më sot, kompania Rafin Company ka marrë në bashkëpunim tendera me vlerë rreth 55 milionë euro. Suksesi i kompanisë është reflektuar edhe me kurbanë dhe bankete.


Renido Petritaj 24 milionë euro nga arka e shtetit, kurbanë, tendera dhe një bandë zyrtarësh hajdutë
Rafin Company rezulton një kompani reale, derivat i kompanisë Shtator 90 shpk, me punonjës dhe asete, por tenderat i ka marrë kryesisht me pazar në tavolinë, me fond limit gati sa ofertat fituese, në shumë raste me dokumente false, duke korruptuar një rreth funksionarësh publikë.
Banda e hajdutëve të biznesmenit Petritaj përbëhet nga zyrtarë dhe ish zyrtarë në Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Elbasanit, Durrës, Universiteti i Mjekësisë, OSSH, Albpetrol etj., të cilët do t’i ekspozojmë në vijim me emra, fytyrë dhe pasuri të kamufluara, produkt i aferave me tenderat publikë.
Ortakët në tenderat e përbashkët të Renido Petritajt janë Raship Çelo, Zani Zoga, Odhise dhe Pëllumb Beta, Xhetan Ndregjoni, Bashkim dhe Shkëlqim Dulla, Dashnor Sinanaj, Eral Myftaraj, Dashnor, Shpëtim dhe Ardit Liçaj, Jemin Toto, Arben Çela, Kristo Xhimo etj.
Në vitin 2022, Renido Petritaj themelon dhe kalon në emrin e tij edhe kompaninë General Trading, me objekt tregtimin e artikujve të ndryshëm.

Kompania ka fituar rreth 2 milionë euro tendera publikë në bashkëpunim, por në llogaritë e saj kanë kaluar rreth 500 mijë euro. Kompania operon me të njëjtat linja klienteliste si Rafin Company.

Terreni për dy kompanitë besohet se është krijuar nga kompania Shtator 90 shpk, themeluar nga Nefir Petritaj, babai i biznesmenit Renido Petritaj.

Edhe pse me kapital modest, Shtator 90 shpk është një kompani reale dhe me historik në fushën e ndërtimit. Në vitin 2021, ka marrë një leje nga Bashkia e Tiranës, për ndërtimin e një pallati me 7 kate.
