Policia e Ekuadorit dhe Kanadaja kanë arrestuar 26 persona të grupit “Los Lagartos” të lidhur me mafien shqiptare pas një hetimi 20-mujor për trafik droge
Autoritetet e Ekuadorit, me mbështetjen e Policisë Mbretërore të Kanadasë (RCMP) kanë arrestuar 26 persona gjatë operacionit të quajtur “Bremen”, duke goditur një rrjet trafikantësh droge të lidhur me mafian shqiptare, sipas deklaratave të ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Reimberg.
Operacioni ishte rezultat i një hetimi 20-mujor që u zhvillua në disa provinca të vendit dhe që, sipas autoriteteve, çoi në çmontimin e një strukture kriminale të lidhur me grupin e krimit të organizuar Los Lagartos, raportojnë mediat ekuadoriane.
Policia kreu 20 kontrolle në provincat Guayas, Los Ríos, Manabí dhe Chimborazo. Autoritetet sekuestruan rreth 300 kilogramë drogë dhe konfiskuan pesë automjete luksoze.
Sipas ministrit Reimberg, operacioni përbën një goditje ndaj ekonomisë kriminale të mafias shqiptare dhe rrjetit të saj operativ në Ekuador.
Hetimi nisi pasi në vitin 2024 autoritetet zbuluan 1.1 ton drogë të fshehur në material aurifer. Pas këtij zbulimi, hetimet u thelluan dhe çuan edhe në sekuestrimin e rreth 2.5 tonëve të tjerë drogë.
Sipas autoriteteve, rrjeti kriminal përdorte një metodë të njohur si “kontaminimi i kontejnerëve”, duke fshehur drogën në ngarkesa legale që transportonin banane ose materiale minerare. Në disa raste droga vendosej para hyrjes së mallrave në port, ndërsa në raste të tjera futhej gjatë transportit ose brenda strukturave të kontejnerëve.
Autoritetet identifikuan gjithashtu se droga transportohej përmes disa provincave të vendit, ndërsa një pjesë e rrjetit merrej me logjistikën dhe transportin e ngarkesave.
Sipas vlerësimeve të policisë, droga e sekuestruar përfaqëson një dëm ekonomik prej rreth 68 milionë dollarësh për organizatat kriminale.
Autoritetet thanë se, ndërsa në Ekuador zhvilloheshin kontrollet dhe arrestimet, operacione të koordinuara po zhvilloheshin edhe në vende të tjera, për të kapur personat që prisnin dërgesat e drogës jashtë vendi.