Pas kritikave nga amerikanët, procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar.
Kjo ka ardhur pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.
Kompania Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars.
Tenderi me vlerë prej rreth 400 milionë eurosh synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.
Kërkesat e amerikanëve për Porto Romanon
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, i ka drejtuar një email kryeministrit Edi Rama dhe disa zyrtarëve të lartë të qeverisë lidhur me projektin e portit të Porto Romanos dhe tenderin e planifikuar për datën 9 mars.
Në letrën e tij, Van Cleeve e cilëson vendimin për këtë projekt si një moment strategjik për Shqipërinë, duke theksuar se portet ndërtohen zakonisht vetëm një herë në një shekull dhe se dimensioni fillestar i tyre përcakton potencialin ekonomik dhe gjeopolitik të vendit për dekada.
Sipas Van Cleeve, projekti aktual për Porto Romanon është shumë i kufizuar në përmasa dhe rrezikon të mos e shfrytëzojë potencialin strategjik të Shqipërisë në rajon.
Në këtë kontekst, ai thekson se Shqipëria ka mundësinë të bëhet një nyje logjistike për Evropën Juglindore nëse Porto Romano zhvillohet në një shkallë më të madhe.
Në përfundim të letrës, ai kërkoi që tenderi për Porto Romanon i planifikuar për 9 mars të shtyhet, në mënyrë që projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat e NATO-s dhe zhvillimin e Korridorit 8.
Van Cleeve propozon gjithashtu që projekti të realizohet përmes një modeli zhvillimi të bashkëfinancuar nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë kompani nga Shtetet e Bashkuara, Italia, Holanda dhe Turqia, si dhe me mbështetje financiare shtesë nga NATO.
Kërcënimet e kryeministrit Rama për tenderin 400 milionë euro
Më 30 korrik të 2024-ës u hap për herë të parë gara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, por pas 20 muajsh, ende nuk ka një fitues.
Për këtë, kryeministrit Edi Rama tha se ka tentativat për ta penguar projektin nga xhelozitë, madje edhe kërcëoi duke thënë se ata që e pengojnë i kanë bër llogaritë gabim.
“Është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuari që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kam bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian”, tha Rama në mbledhjen e grupit të PS-së.
Hetimi ndaj tenderit me ‘flamur të kuq’
Dy javë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e Autoritetit Portual Durrës dhe sekuestruan të gjithë dokumentacionin e garës për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.
Tenderi për këtë projekt është 393 milionë euro pa TVSH ka dështuar disa herë, dhe në garën e hapur në dhjetor të 2024-ës, u paraqitën 5 konsorciume dhe vetëm njëra prej tyre ka kaluar në fazën finale për të paraqitur një ofertë teknike dhe ekonomike.
Afati për këtë garë u mbyll këtë 9 mars në orën 14.00. Nëse bashkimi i operatorëve “Archirodon Construction (overseas) Company Limited – Deme Dredging nv – Società Italiana Dragaggi s.p.a” nuk ka paraqitur ofertën e plotë, gara digjet plotësisht. Nëse oferta dorëzohet e plotë, vijohet me shqyrtimin e saj, për të marrë më pas vendim nëse shpallet apo jo fituese.
Ndërtimi i Portit të ri është parashikuar në dy faza. Në ndryshim nga Porti i Durrësit ai ofron një thellësi më të madhe të ujërave në basen, duke lejuar ankorimin e anijeve më të mëdha dhe me një ngarkesë më të madhe. Vetëm në fazën e parë parashikohet përpunimi i 500 mijë kontejnerëve, nga afro 180 mijë që përpunohen tani në Portin aktual.
Dyshimet për financime ruse në ndërtimin e Porto Romanos
Opozita ka denoncuar pas fituesve të projektit të Porto Romanos qëndrojnë interesa të kundërshtarëve të NATO-s, Rusisë.
Sipas kreu të PD, Sali Berishës, Rama do që porti të ndërtohet nga rusët, por kjo gjë është zbuluar nga aleatët e NATO-s.
“Edi Rama ka dorën e tij të zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, një pasuri kombëtare prej 4 miliardë eurosh.Ai u përpoq të tërheqë në aferat e tij korruptive NATO-n, por dështoi me turp dhe tani që janë oferta të qarta të partnerëve strategjikë, ai kërkon që portin e Durrësit për ta vjedhur ta ndërtojë me rusët apo me të tjerë që kanë interesa të ngushta strategjike me Shqipërinë dhe NATO-n”, ka tënë Berisha. /Pamfleti