Zbardhet skema e trafikut të armëve nga Mali i Zi, identifikohet porositësi; në kërkim 26-vjeçari

Kronike

Publikuar: 10/03/2026

Zbardhet skema e trafikut të armëve nga Mali i Zi, identifikohet porositësi; në kërkim 26-vjeçari

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin policor që çoi në arrestimin e dy personave të dyshuar për trafik armësh nga Mali i Zi drejt Tiranës. Burime për “Pamfletin” bëjnë me dije se policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 26-vjeçarin Enea Stankova, i cili dyshohet si bashkëpunëtori i të arrestuarve dhe personi që kishte porositur armët.

Sipas të njëjtave burime, hetimi ka nisur me një blerje të stimuluar nga ana e policisë, e cila më pas çoi në goditjen e grupit të dyshuar kriminal. Gjatë operacionit u sekuestruan gjashtë pistoleta, ndërsa në pranga ranë Donati Jaku dhe Florian Gjeta.

Nga hetimet paraprake dyshohet se armët ishin trafikuar nga Mali i Zi dhe synonin të shiteshin në zonën e Freskut në Tiranë, tek një grup kriminal që vepron në atë zonë.

Të dy personat e arrestuar kishin dalë më herët në përgjime telefonike të zhvilluara gjatë një hetimi tjetër. Analiza e materialeve hetimore i ndihmoi hetuesit të rindërtonin skemën se si dyshohet se funksiononte trafiku i armëve.

Sipas hetimit, Florian Gjeta, banues në Domje, dyshohet se është përfshirë prej vitesh në këtë aktivitet të paligjshëm. Hetuesit bëjnë me dije se ai ka jetuar për një periudhë edhe në Angli, ku dyshohet se mund të ketë ushtruar të njëjtin aktivitet.

Nga verifikimet e kryera rezulton se Gjeta publikonte në rrjetet sociale fotografi ku shfaqej me armë në brez, një element që është marrë në analizë nga hetuesit gjatë hetimit.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Florian Gjeta drejtonte një automjet tip “Volkswagen”, ndërsa Donati Jaku udhëtonte si pasagjer. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan gjashtë armët e zjarrit.

Ndërkohë, policia dyshon se në këtë aktivitet mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë anëtarët e rrjetit të dyshuar të trafikut të armëve.