Ish zv kryeministërja Belina Balluku nuk mund të arrestohet me kërkesë të SPAK-ut për t’iu nënshtruar dënimit me paraburgim pa u dënuar nga gjykata. Kryeministri Edi Rama, përmes Partisë Socialiste që drejton, ka rrëzuar sot zyrtarisht kërkesën e SPAK-ut për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut me qëllim për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, e akuzat nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Me këtë vendimarrje, Edi Rama i vendos për herë të parë pas 6 vitesh SPAK-ut një vijë të kuqe sa i takon ndëshkimit të njerëzve të tij me paraburgim, si një paradrejtësi e aplikuar nga ana e SPAK-ut. Paraditen e sotme, deputeti Ulsi Manja prezantoi raportin e anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve, raport i cili rrëzon SPAK-un. Manja deklaroi se nuk ka vend për zëvendësim të masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut.
Në raport i sugjerohet Kuvendit që të mos japë autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa theksohet se ky qëndrim nuk pengon SPAK që të vijojë hetimet ndaj ish-zv.Kryeministres. Në qëndrimin e PS thuhet se masat e sigurimit personal nuk lidhen domosdoshmërisht me akuzat që ngrihen ndaj një individi, por duhen pritur hetimet.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Belinda Balluku. Po të prishte provat, do të kishte një akuzë të dytë, që është ajo e prishjes së provave.
Ndërkohë për arratisjen, ka një procedurë. Rreziku i arratisjes do të duhet të jetë real, dhe jo i supozuar. Balluku, edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gusht, edhe pasi iu njoftua akuza nga SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit. Përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal.
Ka udhëtuar në Bukuresht, në Athinë, Romë dhe në të gjitha rastet është kthyer në Shqipëri, duke reflektuar sjellje të rregullt ndaj autoriteteve. Ka dorëzuar mjetet e identifikimit. Edhe kartën e re të identitetit, që ka dalë pasi ka dalë masa, sapo është marrë në dorë nga deputetja, mbrojtja e saj e ka dorëzuar.
Ju e dini që me kartën lëvizet në rajon. Pretendimi se sanksioni penal, shtimi i sanksionit, hipotetikisht që mund të çoje në arratisje, bie poshtë. Dhe ky pretendim nuk qëndron. Mbi pretendimin e përsëritjes së veprës penale, këtu s’dua të ndaloj, pasi rreziku kërkon të jetë real dhe jo hipotetik. Edhe ky pretendim nuk qëndron.
Ne si maxhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës”, tha Manja.