Shpresa Nika dhe Adriatik Zeqillari kapen duke vjedhur paratë publike me Raqkën e Korçës, punime fiktive dhe situacione false (skema e korrupsionit)

Kryesore

Publikuar: 28/02/2026

Shpresa Nika dhe Adriatik Zeqillari kapen duke vjedhur paratë publike me Raqkën e Korçës, punime fiktive dhe situacione false (skema e korrupsionit)

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kapur Shpresa Nikën e kompanisë Nika shpk dhe Adriatik Zeqillarin e kompanisë Zeqillari shpk duke vjedhur paratë publike, përmes mashtrimit me zbatimin e kontratave me Bashkinë e Korçës për punë publike. Nga auditimi i veprimtarisë së Bashkisë së Korçës, KLSH ka konstatuar se dy kompanitë jo vetëm janë shpallur fituese të tenderave në mënyrë të padrejtë, por kanë mashtruar me zbatimin e kontratave, përmes situacioneve false për punime fiktive, duke vjedhur paratë publike.

Më konkretisht, Adriatik Zeqillari ka vjedhur një pjesë të parave të tenderit për ‘Qendrën e kreativitetit faza II’ e Korçës, duke mashtruar me zbatimin e kontratës dhe certifikuar me situacione false punime të pakryera. Ka dyshime të forta se përvetësimi i parave publike me tenderat bëhet në bashkëpunim me kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo, i njohur si Raqka, i cili duhet të mbikqyrë zbatimin e kontratave që lidh me klientët e tij.

Ndërkaq, sipas raportit të KLSH, kompania e ndërtimit Nika shpk me pronare në letra prestanomen Shpresa Nika e ka kthyer në normë vjedhjen e parave publike përmes mashtrimit me zbatimin e kontratave, duke certifikuar punime fiktive me situacione false. Kompania duket se e ka kthyer në praktikë zhvatjen e parave publike me këtë marifet edhe në bashki të tjera. 

Personazhet që fshihen pas Shpresa Nikës kanë vjedhur një pjesë të parave të tenderave të Bashkisë Korçë për rikonstruksionin e shkollës së mesme të përgjithshme “Ymer Dishnica”, paratë e tenderit për terrenet sportive dhe punime të tjera shkolla “Themistokli Gërmenji”, ndërtimin e palestrës së shkollës “Sevasti Qiriazi”, rikonstruksioni i Muzeut Oriental “Bratko” etj.

Në disa raporte të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohet se kompania Nika shpk është shpallur fituese e tenderave publikë pa plotësuar kriteret e shpallura nga autoriteti publik. 

Topçiu i Maliqit skemë korrupsioni me Shpresa Nikën e Shkodrës

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të fundit për veprimtarinë e Bashkisë Maliq, ka konstatuar se tenderat me vlerë të lartë, të firmosur nga kryebashkiaku Gëzim Topçiu, janë në kundërshtim me ligjin, duke ngritur dyshime të forta për një skemë korrupsioni me një rreth të mbyllur klientelist. 

Në 28 dhjetor 2020, Gëzim Topçiu ka firmosur për kompaninë Nika shpk tenderin me objekt; Ndërtimi i Ujësjellësit Maçurisht-Plasë. Fondi limit i tenderit ishte 1.8 milionë euro, ndërsa oferta fituese rezulton 1.6 milionë euro. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se kompania Nika shpk është shpallur fituese pa plotësuar kriteret e shpallura nga vetë autoriteti kontraktor, pra nga Bashkia e Maliqit. Në shkelje të ligjit, Topçiu i Maliqit ka shpallur fituese edhe kompanitë e tjera. 

Pronare në letra e kompanisë Nika është 51-vjeçarja nga Shkodra, Shpresa Nika, pas të cilës fshihen disa ‘ustallarë’ të fondeve publike. Kompania e prestanomes Shpresa Nika ka marrë mbi 50 milionë euro tendera publikë e vetme dhe në bashkëpunim, në shumë raste pa palotësuar kriteret dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave.

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, nga arka e shtetit shqiptar kanë kaluar në llogaritë e kompanisë Nika shpk mbi 24 milionë euro, në bazë të tenderave të dyshimtë dhe klientelistë.

Po pse kryebashkiaku Gëzim Topçiu i ka dhënë kompanisë Nika tenderin në shkelje të ligjit sipas KLSH-së?

Nga rreth 200 tendera që ka marrë e vetme kompania Nika shpk, 24 tendera i ka marrë vetëm nga Bashkia e Maliqit. Ky përqëndrim tenderash në një bashki, plus konstatimin e KLSH, shton më tej dyshimet për një skemë korrupsioni të konsoliduar midis kompanisë Nika shpk dhe kryebashkiakut Gëzim Topçiu.