Ja lidhjet e Durim Bamit me vrasjet me prapavijë politike…
Një prej figurave më emblematike të botës së krimit, do të ekstradohet nga Dubai. Bëhet fjalë për Durim Bamin, emër i njohur për median, drejtësinë, por edhe për politikën.
Prej më shumë se dy vitesh është tentuar ekstradimi i tij nga Dubai, por tentativat dështuan. Ai u ndalua dy herë në vitin 2024 dhe vetëm tani është mundësuar ekstradimi, ku sipas informacioneve, është vetë Bami që ka pranuar të vijë në vendin tonë.
Por ekstradimi i tij pritet të trazojë botën e krimit dhe jo vetëm. Bami thuhet se ka marrë porosi për vrasje si nga bosë të krimit, por dhe nga biznesmenë dhe njerëz të politikës. Nëse ai flet, mund të fundosen shumë emra të rëndësishëm. Vetë Bami në Dubai ka dorëzuar një listë me emra, ku pretendon se duan që ta vrasin.
Në Nikël, Bami njihet për shumë krime, por në rang vendi u bë i njohur në vitin 2015, kur Tom Doshi, deputet në atë kohë, deklaroi se Ilir Meta kishte porositur vrasjen e tij. Sipas Doshit, Meta kishte paguar Durim Bamin 500 mijë euro për ta eliminuar.
Bomba e dytë erdhi nga Nuredin Dumani, i cili në një nga dëshmitë tij ka thënë se ka dëgjuar se vëllai i Arben Ndokës u vra me porosi të Ilir Metës.
Këtu del sërish në skenë Durim Bami. Në dosjen “Metamorfoza 2”, del në pah një konflikt i fortë mes Arben Ndokës dhe Durim Bamit, pasi të dy kërkonin të vrisnin njëri-tjetrin. Arsyeja që Ndoka kërkonte të “hiqte qafe” Bamin ishte sepse dyshonte se ai i vrau të vëllanë.
Ngjarja ndodhi më 9 dhjetor 2017. Aleksandër Ndoka u gjet i vrarë në makinën e tij, para banesës. Ndoka kishte qenë në një lokal aty pranë dhe rreth orës 22.00 ka hipur në mjetin tip “Mitsubishi” për të shkuar në banesë. Por para vilës së tij ishin duke pritur vrasësit. Ata gjetën një zonë pa ndriçim dhe e ekzekutuan duke e lënë të vdekur.
Dyshimet që në atë kohë flisnin se mund të kishim një vrasje të natyrës politike. Në zgjedhjet e qershorit 2017, pati një plagosje me armë në Lezhë. Djali i Aleksandër Ndokës, qëlloi me armë Florian Dushkun, aktivist i LSI. Ishte vetë Ilir Meta që në atë kohë përmes një deklarate për mediat akuzoi 3 persona për ngjarjen: Samuel Ndoka, Don Ndoka dhe Genc Hakica.
Një tjetër ngjarje ku del Durim Bami është vrasja e Artan Santos. Ai është hetuar si i përfshirë në krim, teksa madje thuhet se i zhdukuri Enver Stafuka, para se ta eliminonin ka bërë një rrëfim dhe ka treguar autorët.
Stafuka thuhet se ka qenë një ndër personat mbi motor në atentatin ndaj Santos, por u zhduk në mënyrë të mistershme. Familjarët e Stafukës kanë akuzuar Durim Bamin si të përfshirë në zhdukjen e djalit të tyre, dikur mik mes tyre.
Mbetet të shihet nëse autoritetet do arrijnë ta bindin që ai të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Por nëse Bami bëhet i penduar, atëherë pritet të ketë zhvillime të forta. /Pamfleti