Një shtetas shqiptar është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 25-vjeçare me aftësi të kufizuara në Greqi dhe gjithashtu dyshohet se ka ngacmuar edhe motrën e saj binjake.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kypseli dhe nëna e vajzave ka bërë denoncimin në Polici. Madje ajo ka ndjekur me thikë në dorë autorin e dyshuar, pak pasi pa në kamerat e sigurisë dhe zbuloi ngjarjen e rëndë.
I dyshuari mundi të arratisej para se të mbërrinin forcat e policisë.
“Autori i dyshuar është një burrë me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se e ndihmoi nënën me pazarin dhe jeton në të njëjtën zonë. Sipas të njëjtave informacione, vajza ka edhe një motër binjake, gjithashtu me aftësi të kufizuara. Njëra nga dy vajzat dyshohet se ka pësuar abuzim seksual, ndërsa autori dyshohet se është përpjekur të sulmojë të dytën pa arritur, sipas informacioneve të deritanishme, të përfundojë aktin e tij të shëmtuar”, informon “Protothema”.
Dy vajzat janë dërguar në spital për ekzaminime mjekësore, ndërkohë autoritetet janë në kërkim të autorit të dyshuar shqiptar.