Policia ka zbuluar sot një kasolle e kthyer në bazë armatimesh në pronësi të Ylli Zallës 49 vjeç, një person me precedentë të mëparshëm kriminale.
Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua një tjetër arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe miku u tij, Muçi Shaljani.
Emisioni “Në Shënjestër” publikoi pas ngjarjes së Rinasit, të dhëna nga skeda e Ylli Zallës ku ai kishte vuajtur më herët një dënim të ngjashëm për armëbajtje pa leje, pasi në banesën e tij iu gjetën armë të shumta zjarri dhe që pas kontrollit të fundit në banesë, ai nuk u gjet aty.
Që prej nëntorit 2025, prej tij nuk ka asnjë gjurmë, por grupi hetimor përjashtoi çdo lidhje mes tij dhe grupit kriminal që organizoi eliminimin e krahut të djathtë të Emiljano Shullazit.
Gjatë ditës së sotme, atij iu gjetën në banesë 3 kallëpë tritoli, 12 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë, 3 ndezës granatash, kapsolla detonatorë me 5 celularë, 2 automatikë, 2 pushkë, 8 krehra, pjesë armësh, 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 2 kg e 25 gramë kanabis sativa.
Fillimisht u dyshua se autorët e atentatit në Rinas mund t’i kishin siguruar armët në këtë banesë, por ekspertiza e përjashtoi këtë pistë.
Ylli Zalla nuk është emër i panjohur për policinë. 12 vjet më parë është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge./Balkanweb/