Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij, me kërkesë të Prokurorisë. Vendimi është marrë nga gjyqtari Vladimir Cjapi.
Taullau ka qenë edhe më parë i hetuar gjatë operacionit Forca e Ligjit, ku OFL e procedoi pikërisht për pasuritë e pajustifikuara dhe që dyshohet se vijnë nga aktivitetet e paligjshme.
Saimir Taullau njihet në opinionin publik si kundërshtar i Aldo Bares, një emër i përfshirë më herët në procese gjyqësore për veprimtari kriminale.
Saimir Tuallau njihet edhe si biznesmen në qytetin e Lushnjës, dhe më 24 nëntor 2018, iu bë një atentat në rrethrrotullimin e Plugut, para lokalit të tij. 49-vjeçari është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë. Taullaut iu bë edhe një tjetër atentat, në vitin 2017.
Përplasja me bandën e Aldo Bares
Përplasja mes familjes Taullau dhe grupit të njohur si banda e Aldo Bares daton që prej vitit 1997, periudhë kur ky grup rriti ndjeshëm influencën në qytetin e Lushnjës.
Sipas dëshmive të dhëna ndër vite në gjykatë, konflikti nisi pasi Aldo Bare kërkoi të rekrutonte në grupin e tij Saimir Taullaun, pjesëtar i një familjeje me disa biznese në zonë, përfshirë një pikë karburanti. Refuzimi i Taullaut, sipas dëshmisë së tij, u pasua me vendosjen e gjobave ndaj familjes.Në vitin 2005, Baki Taullau u vra. Saimir Taullau, vëllai i tij, dëshmoi në gjyq duke akuzuar si autorë pjesëtarë të grupit të Aldo Bares, të cilët sipas tij kishin vepruar me urdhër të këtij të fundit.
Në dëshminë e dhënë në vitin 2008 para gjykatës, Saimir Taullau deklaroi se i vëllai kishte qenë vazhdimisht objekt i gjobave nga grupi kriminal. Ai pohoi se Baki Taullau kishte paguar disa herë shuma parash të kërkuara nga grupi, por kur refuzoi të vijonte pagesat, u vra.
Sipas familjes, një nga episodet kryesore të konfliktit lidhej me një gjobë prej 500 mijë eurosh, e vendosur afro dy dekada më parë. Ngjarja, sipas tyre, nuk është zbardhur plotësisht.
Aktualisht, sekuestrimi i pasurive të Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij nga Gjykata e Fierit, me kërkesë të Prokurorisë, e rikthen në vëmendje këtë konflikt të hershëm, ndonëse deri tani nuk ka një lidhje të konfirmuar zyrtarisht mes masës së fundit dhe përplasjes me grupin e Aldo Bares.