Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 14 shkurtit në Montecalvoli në Itali.
Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, përvec autorit të dyshuar të krimit 20-vjeçari me origjinë shqiptare Renato Xyke, për të dëshmuar është thirrur dhe një mik i tij 18-vjeçar i cili ndodhej në automjet në momentin e të shtënave.
Sipas raportimeve, dëshmia e të riut, ishte kontradiktore gjatë procesit të marrjes në pyetje që zgjati rreth tre orë.
Dëshmia
I riu, dukshëm i tronditur, ka pranuar se ka qenë dëshmitar i vrasjes në Viale della Repubblica, ndërsa ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti tip Range Rover Evoque, i drejtuar nga Xyke. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni që miku i tij mbante me vete një armë zjarri – konkretisht një pistoletë gjysmëautomatike Beretta, kalibri 7.65 mm, e mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe e gjetur më pas pranë banesës së të ndaluarit në Montecalvoli – dhe as që kishte ndërmend ta përdorte atë kundër viktimës.
Aktualisht, 18-vjeçari hetohet për bashkëpunim në vrasje me dashje, të rënduar nga motive të dobëta. Një tjetër element i ri është se në automjetin tip SUV ndodhej edhe një i mitur, i ulur në sediljen e pasme.
Detajet e ngjarjes
Tre persona ishin në njërën makinë dhe tre në tjetrën. Automjeti Fiat Doblò i bardhë, ku ndodhej edhe Kevin Muharremi, mbërritit në Viale della Repubblica për t’u takuar ose për të pritur “rivalët” e tyre, me të cilët mund të kenë organizuar një takim të mirëfilltë për të zgjidhur hesapet pas debatit që kishte ndodhur disa orë më parë në pub-in Capanne, ku të dy grupet kishin kaluar natën e së premtes. Debati me sa duket shpërtheu brenda pub-it për çështje të parëndësishme, pastaj vazhdoi në parking. Pika pa kthim ishte ajo që dukej të kishte qenë një përplasje midis dy makinave, por në realitet, doli të ishte diçka krejtësisht tjetër. Ndërsa kthehej mbrapsht, vrasësi i dyshuar e goditi qëllimisht viktimën, një zhvillim i mëtejshëm në një grindje që përfundoi në tragjedi me vdekjen e Muharremit, i cili u godit nga të paktën tre nga pesë të shtënat e qëlluara ndaj tij.
Renato Xyke mbetet në burg
Gjykata konfirmoi arrestimin e 20-vjeçarit Renato Xyke. Çështja tani po i dorëzohet zyrës së prokurorit të Pizës, e cila filloi një hetim të plotë të shtunën, nga këqyrja e kamerave të sigurisë lokale deri te intervistimi i kujtdo që mund të ketë informacione, duke përfshirë kontrollin e të dhënave telefonike midis të rinjve të përfshirë, gjë që ka çuar tashmë në sekuestrimin e armës dhe marrjen e disa provave. Pritet të merret në pyetje 20 vjeçari i arrestuar. Ai përballet me akuza për vrasje me dashje.