Avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj ka folur mbi dosjen hetimore të klientit të tij, të cilën e tërhoqi në janar të këtij viti nga ambjentet e SPAK me karrocë marketi.
Tahiraj ka shpjeguar për mediat se çfarë përmbajnë saktësisht ato dosje. Sipas tij, dosjet e marra nga gjykata nuk japin asnjë material apo rezultat për hetimin e Safet Bajrit.
Ai deklaroi se do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e tyre.
“Janë një sërë materialesh të marra nga Prokuroria e Posaçme, janë materiale ndër vite, procedime të vjetra, procedime të hapura të pushuara, vendime fillimi, vendime mosfillimi, ndarje procedimesh, bashkim procedimesh, por nisur nga forma dhe përmbajtja, nuk japin rezultat për hetimin. Ndaj do t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e tyre. Nuk ka prova që lidhen me klientin tim”, është shprehur avokati për mediat.
Akuzat për Safet Bajrin
Safet Bajri, së bashku me Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon akuzohen nga SPAK për vrasjen e Fatbardh Licit, xhaxhai i Ibrahim Licit.
Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.
Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit.
Kurse Eria Ago, ish-e dashura e Safet Bajrit akuzohej se ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë kësaj ngjarje.