Gazeta belge “Nieuwsblad” i ka kushtuar një artikull ngjarjes që rrëzoi klanin e drogës shqiptare “Çopja” në Bruksel dhe pasojave të saj për drejtësinë belge.
Në artikull theksohet se Bosi i mafies, Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, dhe njerëzit e tij mendonin se ishin të paprekshëm, deri në vrasjen e Ardit Spahiut pesë vjet më parë, ngjarje që nxiti një valë hetimesh dhe luftë midis klaneve shqiptare në Bruksel.
Nga Wouter Hertogs, HLN
Ardit Spahiu (38 vjeç) ishte larguar në Belgjikë në 2019 për shkak të frikës për jetën e tij në Shqipëri, ku një luftë e egër klanesh po zhvillohej midis klanit të Gergelyt dhe familjes Alibej. Të dy klanet e lidhura me mafien ishin të përfshira në trafik të madh kokaine dhe shumë gjak u derdh.
Lufta arriti kulmin më 27 nëntor 2020 në Belgjikë. Spahiu u qëllua nga një person që zbriti nga një makinë, mori nëntë plumba dhe pësoi tetëmbëdhjetë plagë të ndryshme. Ai vdiq në vend. Gergely mendoi se ishte “punë e kryer”, por gjërat nuk ishin kështu.
Disa muaj më vonë, hetuesit arritën të thyejnë shërbimin e koduar të mesazheve Sky ECC dhe identifikuan protagonistët e vrasjes. Gergely ishte vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke pretenduar se merrej me tregti tekstilesh dhe makinash. Në fund të dhjetorit 2023, ai u dorëzua në Belgjikë nën masa të rrepta sigurie – duke u bërë i pari kriminel droge i dorëzuar nga Dubai.
Pas një gjykimi më shumë se njëvjeçar nën masa të rrepta sigurie, Gergely u dënua me 25 vjet burg për porositjen e vrasjes. Porositësi tjetër, Mikael Qosja, mori dënim me burgim të përjetshëm. Ekzekutuesi i vrasjes, Flobenc Meçja, gjithashtu u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata dënime edhe Elton Roçin me 20 vjet, Elvis Muratajn me 8 vjet dhe Eljo Bitrin me 5 vjet. Bitri punoi me drejtësinë që nga nëntori 2023 dhe është dëshmitar i mbrojtur. Ai mori dënim më të lehtë falë pendesës dhe bashkëpunimit gjatë hetimeve, pavarësisht rreziqeve të mëdha.