Grabiti me kallashnikov ‘FiBank’, lihet në burg Bardhyl Fusha; avokati: Të vlerësohet gjendja e tij mendore

Kronike

Publikuar: 15/02/2026

Grabiti me kallashnikov ‘FiBank’, lihet në burg Bardhyl Fusha; avokati: Të vlerësohet gjendja e tij mendore

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Bardhyl Fushën, i cili pak ditë më parë tentoi të grabiste me kallashnikov një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet.

Në seancën gjyqësore, avokati mbrojtës Mirash Ndoci kërkoi që të kryhet një vlerësim i gjendjes psikologjike dhe mendore të klientit të tij në momentin e ngjarjes. Sipas tij, rrethanat në të cilat ka vepruar Fusha duhen analizuar edhe nga ky këndvështrim.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu një masë më të lehtë sigurie se “arresti me burg”, duke argumentuar se i pandehuri është dorëzuar menjëherë pranë Policisë dhe nuk ka shkaktuar pasoja në jetë njerëzish. Avokati theksoi se, sipas tij, nuk bëhet fjalë për një grabitje të mirëorganizuar dhe se Fusha ka vepruar nën presion të rëndë financiar.

Fjala e avokatit, Mirash Ndoci:

Në cilësinë e mbrojtësit ligjor të shtetasit Bardhyl Fusha, ndjej detyrimin të sqaroj opinionin publik lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe qëndrimin e mbrojtjes.

Nga dinamika e fakteve të bëra publike rezulton se:

Z. Fusha është paraqitur në ambientet e bankës në mes të ditës;

Ka qenë i pamaskuar;

Ka lënë mjetin e tij personal të parkuar përpara bankës;

Pas daljes nga banka është dorëzuar menjëherë ndaj punonjësve të policisë;

Nuk ka ushtruar rezistencë dhe nuk ka tentuar arratisje;

Nuk ka pasur pasoja fizike apo humbje jete.

Këto elementë, për mendimin e mbrojtjes, nuk përputhen me tipologjinë e një grabitjeje të organizuar apo të mirëstrukturuar, por tregojnë mungesë planifikimi profesional, mungesë strategjie arratisjeje dhe mungesë përshkallëzimi dhune.

I dyshuari Bardhyl Fusha ka deklaruar se ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar, për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve të tij në një shumë të konsiderueshme. Subjekti tregtar që ai ka administruar rezulton me vështirësi serioze ekonomike dhe detyrime tatimore, çka ka rënduar më tej situatën e tij personale dhe psikologjike.

Mbrojtja vlerëson se kemi të bëjmë me një akt të izoluar, të kryer në një moment tronditjeje të fortë emocionale, dhe jo me një prirje kriminale të qëndrueshme.

Për këtë arsye, në kuadër të procesit gjyqësor, mbrojtja ka kërkuar:

Caktimin e një mase sigurimi më të butë se “arrest në burg”, duke qenë se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo përsëritjeje;
Kryerjen e një ekspertimi psikologjik/psikiatrik për të vlerësuar gjendjen mendore të tij në momentin e ngjarjes.

Ne respektojmë plotësisht organet e drejtësisë dhe presim që çështja të trajtohet me objektivitet, proporcionalitet dhe në përputhje me standardet e një procesi të rregullt ligjor.

Ngjarja ka ndodhur më 12 shkurt. Bardhyl Fusha, i njohur si sipërmarrës në fushën e ndërtimit, pas arrestimit ka deklaruar se kishte detyrime financiare ndaj punonjësve dhe se kjo situatë e ka shtyrë të ndërmerrte veprimin.

Sipas të dhënave zyrtare, ai arriti të marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra nga arka e bankës, por u arrestua menjëherë pasi doli nga ambientet e institucionit financiar.