Sistemi i drejtësisë në Shqipëri po i nënshtrohet një tjetër filtri të thellë pastrimi, këtë herë duke synuar bllokimin e çdo shtegu ligjor për personat me probleme integriteti që tentojnë të hyjnë në organet e larta vendimmarrëse apo akademike.
Me botimin në Fletoren Zyrtare dhe dekretimin nga Presidenti i Republikës, Ligji nr. 10/2026 hyn në fuqi më 28 shkurt 2026, duke vendosur ndalime të përhershme për ish-gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar ose tërhequr nga detyra për t’iu shmangur vetingut.
Sipas ligjit, këtyre individëve u ndalohet shprehimisht kandidimi në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), si dhe punësimi si pedagogë, trajnerë apo ekspertë në Shkollën e Magjistraturës.
Për kandidatët e rinj nga radhët e avokatisë, pedagogët dhe shoqëria civile, ligji vendos një proces rigoroz “miniveting”, që përfshin verifikimin e pasurisë, lidhjet me krimin e organizuar dhe një kontroll të thelluar nga Avokati i Popullit dhe autoritetet kompetente si SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, Tatimet dhe Doganat.
Ndryshimet ligjore përfshijnë edhe saktësime mbi përkufizimin e krimit të organizuar dhe pasurisë, si dhe fuqizimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe standardeve për këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë në gjykata dhe prokurori.
Ky ligj synon të garantojë integritetin e sistemit të drejtësisë dhe të parandalojë rikthimin e individëve me probleme integriteti në institucionet kyçe të shtetit.
/oranews