Festim Bexhdili i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 25 korrik 2025, që e dënoi me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Shorti elektronik në shkallën e tretë të gjyqësorit caktoi si relator të çështjes gjyqtarin Ilir Panda. Ai pritet të përcaktojë datën e shqyrtimit të rekursit.
Gjykatat e mëparshme e shpallën Bexhdilin fajtor për rrëmbim ose mbajtje peng të personit me pasojë vdekjen, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai u dënua gjithashtu për mbajtje pa leje dhe prodhim armësh dhe municionesh, për fshehje ose asgjësim të kufomës, si edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Gjykata e Lartë do të vendosë mbi kërkesën për prishjen e vendimit të Apelit.