Protesta e opozitës, Ambasada e SHBA apel qytetarëve amerikanë: Shmangni demonstratën, mund të ketë tensione

Politikë

Publikuar: 10/02/2026

Protesta e opozitës, Ambasada e SHBA apel qytetarëve amerikanë: Shmangni demonstratën, mund të ketë tensione

Ambasada e SHBA në Tiranë i ka drejtuar një apel qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri që të shmangin zonën ku do të zhvillohet protesta e thirrur nga opozita. Ambasada paralajmëron se referuar edhe njoftimeve zyrtare nga Policia, protesta mund të precipitojë dhe të ketë tensione. Në këtë kuadër, Ambasada e SHBA shprehet se ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt.

“Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.

Protesta është thirrur nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ajo pritet të nisë në orën 17:00. Kohëzgjatja e protestës nuk dihet, por referuar protestave të mëparshme ato nuk zgjasin më shumë se 3 orë. Në protestën e fundit pati disa incidente që nisën me hedhjen e fishekzjarrëve dhe molotovëve në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protestuesit më pas u zhvendosën drejt godinës së Parlamentit, ku sërish pati incidente dhe përplasje, ndërsa policia shoqëroi disa dhjetra protestues, që më pas fituan lirinë nga gjykata. 

Postimi i plotë:

Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te ndërtesa e Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut.

 Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personelit të Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:

• Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këtë ngjarje

• Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth

• Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik

• Monitoroni mediat lokale

• Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje

• Mbani një profil të ulët