Me kërkesë të kryeministrit Rama, zv/kryeministërja Belinda Balluku ka shkarkuar vjehrrin e Belind Këlliçit, Artan Shkrelin si drejtor i Institutit të Ndërtimit. Sipas burimeve, Shkreli është shkarkuar nga detyra që vitin e kaluar duke u zëvëndësuar përkohësisht nga Blerina Gjini. Ditët e fundit, Rama dhe Balluku kanë emëruar në krye të Institutit të Ndërtimit Persida Shkrepën. Kjo e fundit u prezantua sot nga zonja Balluku.
“Suksese @persida_shkrepa në këtë detyrë dhe sfidë të re, në drejtimin e Institutit të Ndërtimit. Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend“, shkruan Balluku.

Prapaskena paralajmëroi shkarkimin e Artan Shkrelit që në shtator të vitit 2025 kur dhëndri i tij Belind Këlliçi nisi të sulmonte Belinda Ballukun. Sipas burimeve ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e ka shkarkuar nga detyra Artan Shkrelin me kërkesë të kryeministrit Rama. Por, duke menduar se vendimi për largimin e Shkrelit ishte marrë nga Balluku, dhëndri i tij Belind Këlliçi befas nisi t’i sulej Ballukut.