Ekspertët e policisë janë rikthyer sërish paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë të Lezhës, prane biznesit ku ndodhi atentati me armë zjarri mbrëmjen e djeshme.
Ekspertët po marrin gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes, të cilëve do t’iu bëhet ADN për të parë nëse kemi të bëjmë me një person tjetër të plagosur dhe identitetin e tij.
Ndërkohë, nga të shtënat, 4 plumba kanë prekur dhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht personat që ndodheshen brenda kanë shpëtuar mrekullisht.
Si ndodhi plagosja?
Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Lezhë, në zonën e njohur si kryqëzimi i Rrilës. I plagosur ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka qenë objektivi i atentatit, por është goditur aksidentalisht nga plumbat teksa ndodhej brenda ambientit të punës së tij, ku bashkë me të ndodheshin edhe persona të tjerë brenda në berberhane.
Autorët kanë mbërritur me një automjet tip Audi A3 përballë berberhanes. Tre persona kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt berberhanes, ku dyshohet se ndodhej objektivi i atentatit, një person tjetër që ishte brenda në atë moment.
Më pas, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa personi që ishte shënjestër e atentatit është larguar.
Ndërkohë i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar. Ai ka marrë tre plagë, në shpatull, në bark dhe në këmbë.