Arrestohet në Kolumbi “koordinonatori” i kokainës për mafien shqiptare

Aktualitet

Publikuar: 02/02/2026

Arrestohet në Kolumbi “koordinonatori” i kokainës për mafien shqiptare

Policia kolumbiane ka arrestuar Lorenzo Dei Meneghetti, një nga personat më të kërkuar nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar droge. Ai konsiderohej një figurë kyçe në organizimin e dërgesave të kokainës drejt Evropës, përfshirë edhe për rrjete të mafies shqiptare.

Mediat e huaja raportojnë se arrestimi u krye në qytetin Ciénaga, në Kolumbi, në kuadër të një operacioni të përbashkët mes autoriteteve kolumbiane dhe italiane, me mbështetjen e Guardia di Finanza dhe bashkëpunim ndërkombëtar përmes Interpol.

Sipas dosjes hetimore, ai ishte një nga organizatorët kryesorë të trafikut të kokainës mes Amerikës Latine dhe Evropës. Ai koordinonte rrugët dhe strategjitë e dërgesave të drogës për grupe kriminale në Itali, Spanjë, Marok dhe Shqipëri, duke shërbyer si lidhje mes kartelëve të Amerikës së Jugut dhe mafieve evropiane.

Hetimet ndaj tij kishin nisur që në vitin 2013, fillimisht për trafik hashashi dhe marijuane nga Holanda drejt Italisë. Më pas, mes viteve 2016 dhe 2017, ai dyshohet se u përfshi në operacione të mëdha të trafikut të kokainës me lidhje në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.

Për këto veprimtari, Dei Meneghetti ishte dënuar në Itali me 12 vite burg, por kishte arritur të largohej duke përdorur dokumente false të siguruara në Rumani. Pas kësaj, ai u vendos në Kolumbi, nga ku vijoi të drejtonte aktivitetin kriminal dhe të mbante kontakte me rrjete trafiku në disa vende evropiane.

Operacioni që çoi në arrestimin e tij, i quajtur “Apokalipsi”, ishte pjesë e një hetimi afatgjatë të nisur që në vitin 2016 për shkatërrimin e një rrjeti ndërkombëtar trafiku droge që vepronte në Shqipëri, Itali dhe rajone të tjera të Evropës.