Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme në qendër të Rrilës në Lezhë. I plagosuri është Sokol Daci, rreth 30 vjeç.
Ai ka marrë 5 plumba dhe pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e zonës, po dërgohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Sokol Daci ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë. Ai ishte duke u marrë me një klient kur ndodhi ngjarja.
Dyshohet se mund të ketë qenë më shumë se një autor i përfshirë. Një prej tyre ka zbritur nga një automjet dhe ka shtënë me breshëri në drejtim të biznesit. Personat nuk janë identifikuar ende dhe janë larguar nga vendngjarja. Në momentin e të shtënave ka pasur 5 persona të tjerë brenda biznesit dhe nuk dihet nëse ka qenë Daci shënjestra. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit. Janë ngritur pika kontrolli, janë marrë për analizë kamerat e sigurisë dhe po merren në pyetje disa persona.
Sokol Daci nuk rezulton të ketë precedentë penalë apo të jetë një person problematik në zonë. Ai njihej gjithashtu edhe si berber Coli.