Vangjeli kundër burgut për parkim të gabuar: Në Evropë të heqin patentën, nuk të arrestojnë

Kronike

Publikuar: 29/01/2026

Vangjeli kundër burgut për parkim të gabuar: Në Evropë të heqin patentën, nuk të arrestojnë

Tërheqja e përkohshme nga miratimi me procedurë të përshpejtuar i draftit të ri të Kodit Penal është cilësuar si një lajm i mirë dhe një moment reflektimi nga analisti Lorenc Vangjeli.

“Kemi shpëtuar nga diçka që mund të ishte shumë herë më e rëndë. Kodi nuk mund të jetë kaq i ngarkuar. Ai duhet të jetë i qartë, gjithëpërfshirës dhe lehtësisht i kuptueshëm,” u shpreh Vangjeli.

Ai ngriti shqetësimin se nëse vetë profesionistët e ligjit e kanë të vështirë ta zbërthejnë, për qytetarin e thjeshtë zbatimi i tij bëhet i pamundur.

“Kodi nuk është kurthi që një shumicë parlamentare e caktuar mund ta ndryshojë, por duhet të jetë një instrument që qytetari ta kuptojë qartë dhe bjerë në të me dashje,” shtoi ai.

Parkimi i dyfishtë, burg apo heqje patente?

Duke u ndalur te ashpërsimi i masave, Vangjeli mori si shembull konkret propozimet për dënimin me burg për shkelje të caktuara rrugore, si parkimi i dyfishtë. Ai e cilësoi këtë qasje si të papajtueshme me standardet evropiane.

Shikoni çfarë zgjidhjeje jep ligjvënësi ynë: ndëshkimin. Po në Europë çfarë bëjnë? A fusin në burg? Jo,” – tha Vangjeli.

Sipas tij, logjika perëndimore bazohet te parandalimi administrativ dhe jo te privimi i lirisë.

Në Evropë shoferit i heqin patentën, i heqin mundësinë për të bërë këtë shkelje, por jo burg,” përfundoi analisti, duke kërkuar që Kodi i ri t’u japë prokurorëve standarde të pavarura dhe jo hapësira për abuzime.