Miratohen ndryshimet në Kodin Penal, hiqet shpifja për gazetarët, burg për pakimin dyshe, rritet dënimi për pastrimin e parave dhe trafikun e drogës

Aktualitet

Publikuar: 28/01/2026

Miratohen ndryshimet në Kodin Penal, hiqet shpifja për gazetarët, burg për pakimin dyshe, rritet dënimi për pastrimin e parave dhe trafikun e drogës

Pas një seance maratonë diskutimesh, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pas mesnate ndryshimet në Kodin Penal. Me 85 vota pro dhe 9 kundër u miratua dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët sipas udhëzimeve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit. Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar ata që i kërcënojnë apo dhunojnë për shkak të profesionit.

Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë edhe burg deri në 1 vit për ata që parkojnë dysh. Për këtë pjesë, ministri i Drejtësisë theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.

Ligjvënësit e Partisë Demokratike thanë se mazhoranca po synon të miratojë ndryshimet në Kodin Penal me shpejtësi dhe në fshehtësi. Në vazhdën e këtyre pretendimeve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi kërkoi shtyrjen e miratimit të draftit.

Po ashtu, sipas ndryshimeve të miratuara, ashpërsohen dënimet për ndërtim të paligjshëm e zjarrvënie. Ndryshimet parashikojnë rritje të dënimit për trafikimin e grogës në sasi të mëdha dhe për pastrimin e parave.