Ankimoi dënimin me burg, Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim çështjen e ish-deputetit Salianji

Aktualitet

Publikuar: 28/01/2026

Ankimoi dënimin me burg, Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim çështjen e ish-deputetit Salianji

Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të mërkurë të kalojë për shqyrtim mbi bazë dokumentesh ankimimin e ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve gjyqësore për dënimin e tij me burg.

Sjellim ndërmend se ish-deputeti Ervin Salianji ishte dënuar për kallëzim të rremë në lidhje me një denoncim publik që kishte bërë ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm socialist, Fatmir Xhafaj.
Bëhet fjalë për rastin që u njoh publikisht si “Babalja”, ku pretendohej se vëllai i Xhafajt ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Nga hetimet rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e simuluar. Salianji u shpall fajtor për akuzën “kallëzim të rremë” dhe u dënua me një vit burg dhe u vetëdorëzua në polici të nesërmen e dhënies së këtij vendimi.