Krahas goditjes penale, SPAK ka nisur paralelisht një hetim pasuror për grupin e zhvatjes përmes call centerave me në krye tre vëllezërit nga Tropoja, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të shpallur në kërkim si grup i strukturuar kriminal dhe mashtrim me pasoja të rënda. Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi janë arrestuar në flagrancë si pjesë e grupit të mashtrimit me investimet e rreme.

Armanildo Saliasi nga Skrapari rezulton se ka qenë administrator i një prej call centerave të vëllezërve Prekaj në Tiranë, kamufluar me kompaninë Balkanspro shpk. Ndërkaq, gjatë kontrolleve në kullën Alban Tower në Tiranë, agjentët e BKH-së kanë konstatuar një tjetër call center, kamufluar me kompaninë Infinite shpk, me pronar në letra 29-vjeçarin, David Prendi. Të gjithë këto pesonazhe dhe emra të tjerë që do dalin gjatë verifikimeve, janë pjesë e hetimit pasuror që po kryhet nga BKH-ja.
Sipas burimeve, një prej anëtarëve të grupit dyshohet se mund të ketë përfshirë në pastrimin e parave të aktivitetit kriminal ish ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe vjehrrën e saj, Adriana Berberin, e cila është njëkohësisht edhe tezja e bosit të kokainës Ervin Mata, në kërkim nga SPAK-u. I dyshimtë është edhe roli i bashkëshortit të zonjës Muzhaqi, Besad Buzi, drejtor në disa ministri, ku ka deklaruar të ardhura nga donacione.

Berberi dhe Muzhaqi dyshohet se janë përfshirë në pastrimin e parave të skemave korruptive dhe call centrave. Adriana Berberi ka marrë një pjesë nga fondet për startup-et me firmën e ish ministres për Sipërmarrjen, Edona Bilali, përmes shoqatës “JUNIOR ACHIEVEMENT OF ALBANIA”.
Adriana Berberi, ligjërisht prej disa vitesh është pensioniste. Por, për shkak të lidhjeve të forta politike dhe klienteliste, ajo ka qenë anëtare prej vitesh e Komisionit të Konkurrencës, në shkelje flagrante të ligjit për të vazhduar të zhvasë miliona nga bizneset, siç veproi me mafiozët e miellit, vajit, plehrave kimike, ilaçeve, firmës “Bankers”, kompanive telefonike etj.

Falë lidhjeve korruptive, Berberi arriti të sigurojë edhe një mandat tjetër edhe pse prej vitesh pensioniste sipas ligjit.
Kujtojmë se me Urdhër nr. 27, datë 24.03.2017 të Ministrit të Financave, Adriana Beberi u rizgjodh anëtare e Bordit të Mbikëqyrjes Publike me afat deri në vitin 2025. Qysh prej vitit 2013 ajo ka qenë kryetare dhe mbahet mend, për zhdukjen e Raportit të Huaj Auditues, që zbulonte skenaristët e vërtetë të vjedhjes 7.3 milionë USD në Bankën e Shtetit.

Ky ishte mandati i tretë për të në krye të Bordit të Mbikqyrjes, edhe pse ligji e lejon vetëm 2 herë. Prej vitesh, pavarësisht se cila palë ishte në krye të qeverisë, Berberi ka gëzuar poste drejtuese në disa institucione të rëndësishme.
Ajo nuk i ka lëshuar këto poste pa i vjedhur mirë.
Përmendim këtu postin si zëvendësministre e Financave e të Ekonomisë në vitet e Ilir Metës, ku fshinte vjedhjet me evazionin fiskal dhe zhdukjen e taksave të bizneseve, ndërkohë që ka bërë batërdinë, duke lejuar bilance tatimore false.
Ndërkohë, në 4 vitet 2001-2005, kur ishte Kryetare e Këshillit Mbikëqyrës tek “Posta Shqiptare”, u vodhën 136 milionë Euro me tenderë e zhdukje të ardhurash.
Adriana Berberi ka shijuar financat publike gjatë viteve kur drejtoi Këshillin Mbikëqyrës të Universitetit Mjekësor. Ku ka firmosur miliona euro afera me tendera.
Si ish-drejtore e Kabinetit të kryeministrit Pandeli Majko, ajo sajoi dhe vendosi taksën e solidaritetit të rrugës. Ku u zhdukën 11 milionë Euro të paarkëtuara në shtet.
Ndërsa kur ishte drejtore e Kabinetit tek Ministria Mbrojtjes bashkë me Majkon, sajuan shitjen e tankeve te Mihail Delijorgji i Gërdecit.
Në vitet 2015-2017, Adriana Berberi si shefe Kabineti e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, u përfshi në skandalin e aferës korruptive 3 milionë euro me tekstet shkollore.

Jo vetëm vetë Adriana, por e gjithë familja e saj janë vënë në aksion,për të rrëmbyer sa më shumë para nga shtetit. Bashkëshorti i saj Bedri Buzi, ka qenë drejtor i pronës në Ministrinë e Financave, ku është përfshirë në afera me privatizimet me Arben Ahmetaj, ndërsa aktualisht i janë besuar disa prona të sekustruara.
I biri, Besard Buzi, bashkëshorti i Bora Muzhaqit, ka qenë drejtor Ligjor në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ndërsa aktualisht është drejtor i Trajtimit të Koncensioneve.

Sipas dokumenteve, Adriana Berberi ka blerë 3 vila në Filadelfia, në adresën: “Pa Welsh R.d-19115”, konkretisht: 1 vilë në emrin e saj 1344 m2 e vlerë 356USD; ndërsa 1 vilë në emrin e burrit dhe 1 vilë në emrin e djalit, bashkëshort i ish ministres Bora Muzhaqi, të cilët nuk i kanë deklaruar.
Por ka dhe 3 vila e 8 apartamente në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lalz e Shëngjin, të cilat duhen hetuar nga SPAK, mbasi ka të dhëna, se i ka në ortakëri me krye-trafikantin Ervin Mata, të cilin e ka nip; madje me të ka 20% te kulla që po ndërton te ish Ekspozita Shqipëria Sot në Tiranë me burrin e Albana Vokshit, Arian Tartari.
Agron Shehaj kërkon interpelancë në konflikt interesi me ministren e Brendshme
Deputeti Agron Shehaj, bosi më i madh i call centerave në Shqipëri, ka kërkuar interpelancë në Kuvend me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, pas goditjes së rrjetit të call centerave në kullën Alban Tower në Tiranë. Në konflikt interesi, Shehaj kërkon interpelancë me ministren për dekonspirimin e operacionit të SPAK-ut.
Ndonëse në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, call centerat e goditur nga SPAK-u janë konkurrentë në biznes me Agron Shehajn, kryetari i Partisë Mundësia. Kreu i kësaj partie është koka e call centerave në Shqipëri, ndërsa deputeti tjetër i Partisë Mundësia ka lidhje me aferat e AKSHI-t me tendera.