Që në banaqet televizive artikulohen lloji-lloji dokrrash, trapllëqesh dhe marrëzirash nga derdimenë, gagarelë, pseudoanalistë, madje edhe nga ndrikulla të pudrosura mediatike që zgjohen me krimin, kjo tashmë është kthyer në një epidemi, e cila po minon besimin e publikut tek mediat dhe dëmton edhe gazetarët seriozë. Zakonisht mufkat që lëshohen në ‘qoftoret’ televizive pa asnjë përgjegjësi, respekt për të vërtetën, publikun dhe fytyrën e vetë artikuluesit, gjithnjë ‘sipas burimeve të pashtershme’, kalojnë pa u vënë re.
Por, nuk ndodhi kështu me një deklaratë të gazetares Anduena Llabani, e cila në datën 7 janar 2026, në televizionin News 24, ‘informoi publikun’ se në datën 20 janar, pra dy javë më pas, Edi Rama do të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me avokat me vete, pasi e kishte punën pisk. Bazuar në burimet e saj në të gjitha kontinentet, gazetarja deklaroi me kompetencë se Edi Rama do të merrej në pyetje për disa çështje që i janë hapur ‘andej’.
Sipas gazetares Llabani, në këto momente (paradite 20 janar), Edi Rama duhet të jetë rrugës për në SHBA, shoqëruar me avokat, për t’u pyetur si person në dijeni! Mëngjesin e sotëm Edi Rama ka shkuar në zyrë, por ndoshta vijnë dhe e marrin nga dreka me helikoptet, e çojnë në bazë dhe e nisin me avion luftarak drejt SHBA-ve, gjithnjë me avokat me vete!
Nuk është hera e parë që Llabanin e ‘tradhtojnë’ burimet e sigurta. Në 17 dhjetor 2025, tha se Edi Rama do të thirrej në SPAK deri në fund të dhjetorit. Po në 17 dhjetor 2025 tha se SPAK ka gjetur 20 milionë USD në emrin e Belinda Ballukut. Pothuajse sa herë shfaqet në mejhanet televizive ‘informon’ për zhvillimet të rëndësishme dhe bombastike, me data konkrete, duke sfiduar edhe Baba Vangën.
Kjo nuk është gazetari. Madje as kazan dhe tenxhere siç thotë Edi Rama. Kjo është një llumnajë që vështirë t’i vësh emër. Ndërkaq, spekulimet e fundit të gazetares Llabani janë ironizuar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Sot është 20 janar.
Sipas një lajmi të Ballkanweb të 13 ditëve më parë, sot Rama do jetë rrugës për në Amerikë së bashku me avokat.
Sipas disa komenteve të atyre ditëve rreth këtij lajmi “të sigurtë”, sot i bie që Rama të jetë nisur “si cjapi te kasapi” pasi do ta marrë direkt FBI ta shoqërojë diku për ti bërë pyetje për çështje që “do trondisin Shqipërinë”. U shurdhuam ato ditë nga “siguria” e lajmit nga “burine tepër të sigurta amerikane”…
Bëni një kërkim të thjeshtë në google dhe do ti gjeni këto “lajme” aty.
Sot pra është dita….
Presim tronditjen…
Ka pak erë sot e as helikopterët nuk sugjerohet të fluturojnë… Por presim..”, shkruan Manjani.