Emra të padëgjuar më parë dalin në skenë për lidhje me rrjetin e madh kriminal të call centerave, i cili vepron nga skurat deri tek kullat, gjithnjë nën mbrojte policore, duke zhvatur qytetarët evropianë përmes investimeve të rreme dhe platformave mashtruese. Armanildo Saliasi dyshohet se është një nga derivatet e tre vëllezërve nga Tropoja, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të shpallur në kërkim nga SPAK-u si bosët e një prej rrjeteve më të fuqishme të call centerave në Tiranë.

Armanildo Saliasi nga Skrapari rezulton se ka qenë administrator i një prej call centerave të vëllezërve Prekaj në Tiranë, kamufluar me kompaninë Balkanspro shpk. Në mars të vitit 2022, një nga vëllezërit nga Tropoja, Alfred Prekaj i ka shitur Amarildo Saliasit kompaninë e call centerave Balkanspro, me zyra në Rrugën Jordan Misja, Kompleksi
Reno Construction, kati I, objekt kontrolli nga BKH-ja.

Ka dyshime për shitje fiktive të kompanisë në kuadër të lëvizjeve të tre vëllezërve për të humbur gjurmët e aktivitetit kriminal të zhvatjes përmes mashtrimit me pasoja të rënda. Saliasi dyshohet si derivat i grupit të Agim Prekajt, ku bëjnë pjesë edhe të arrestuarit nga SPAK Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi.

Ndërkaq, gjatë kontrolleve në kullën Alban Tower në Tiranë, agjentët e BKH-së kanë konstatuar një tjetër call center, kamufluar me kompaninë Infinite shpk, me pronar në letra 29-vjeçarin, David Prendi. Ka dyshime të forta se Predi është gjithashtu kamuflim i Agim Prekajt, bosit të call centerave në Tiranë. SPAK ka administruar prova dhe po heton rolin e kompanisë Infinite në skemën e mashtrimit.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti“, thotë SPAK.

SPAK ka edhe një mesazh për bosët e call centerave. “SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme“, thuhet në njoftim.
Flladi Malaj dhe Florian Sula të paprekshëm
Nipi i Arben Malajt, Flladi Malaj konsiderohet si një nga kokat e mashtrimit me Forex në zonën e Kristal Center tek Komuna e Parisit dhe Selitës. Në këtë zona kontrollon një grup prej 100 vetash, të cilët mashtrojnë qytetarët evropianë.

Vëllezërit Xhulio e Flladi Malaj, në janar 2015, krijuan rrjetin e tyre ilegal Call-Center dhe zhvilluan aktivitet me 13 pika në Tiranë, 5 pika në Vlorë e 5 pika në Fier, të pa regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të padeklaruara në Tatime, por të lejuara prej tyre e prej policisë, ngaqë kanë lidhje me kupolën e qeverisë dhe paguajnë ryshfete të majme.
Për të pasur edhe mburojë e justifikim ligjor, dy vëllezërit Xhulio e Flladi Malaj, gjatë vitit 2019 krijuan 6 kompani online për oferta, konsulencë e asistence biznesesh, depozitash e investimesh financiare dhe kontakti brenda e jashtë Shqipërisë, nëpërmjet komunikimit e menaxhimit tregtar, të cilat në fakt ishin e janë rrjet mashtrues Forex.
Rrjeti i kompanive të Malajt nuk kanë bilance, por vetëm përdoren për skemat e mashtrimit dhe pastrim parash.
Policia dhe Tatimet, e dinë që në zonën e Farkë-Selitës në Tiranë, kryen aktivitet mashtrimi me disa salla Call-Center me licencë, por pa bilance tatimore prej 4 vitesh, rrjeti kriminal i 6 firmave të vëllezërve Xhulio e Flladi Malaj, të cilët kanë si bazë lokalin e tyre “Casa Mokador” te Komuna e Parisit në Tiranë.
Florian Sula nga Divjaka, vijon vjedhjen sistematike dhe të sofistikuar me vlerë miliona euro ndaj qytetarëve evropianë, përmes skemës së investimit të rremë në bursa. Edhe pse figuron pa asnjë historik biznesi dhe pa të ardhura të ligjshme, Florian Sula ka investuar vitet e fundit qindra mijëra euro në pasuri të paluajtshme nga Tirana në bregdet, ndërsa i ka shpëtuar deri më sot të gjitha hetimeve të SPAK për grupet kriminale në fushën e mashtrimit. Mjeshtri i Forex Florian Sula, derivat i Josifit, vitet e fundit, me paratë e siguruara përmes mashtrimit me pasoja të rënda, ka blerë prona me vlerë qindra mijëra euro nga Borshi deri në Himarë.

Pronat janë blerë me qëllim zhvillim e tyre për të ndërtuar hotele dhe vila, një formë kjo masive për pastrimin e parave të pista. Ndryshe nga shumë bosë call centrash që kanë hequr dorë nga skemat e mashtrimit dhe po pastrojnë qetësisht paratë pista në ndërtim, Florian Sula vijon të jetë aktiv në aktivitetin kriminal të mashtrimit me invesimet e rreme në bursa, duke pastruar në të njëjtën kohë paratë që janë produkt i aktivitetit kriminal, në bashkëpunim dhe kamuflim me disa biznesmenë të njohur.