Tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, kamufluar me kompaninë Infinite, janë në fokus të operacionit të madh të SPAK-ut dhe BKH-së, koordinuar me autoritetet italiane, zhvilluar mbrëmjen e së premtes në Tiranë, duke çuar në arrestimin e 12 personave, por jo të kokave të mashtrimit të qytetarëve Evropianë me call centera. Mbetet për t’u parë nëse tre bosët e call centerave kanë lidhje me 29-vjeçarin, David Prendi, pronar dhe administrator i kompanisë së call centerave Infinite me zyra qëndrore tek kulla Alban Tower Tirana.

Kontrollet janë kryer nga agjentët e BKH-së, në zbatim të një vendimi nga GJKKO, ndërsa në sitë kanë kaluar mbi 30 ambiente, një prej të cilëve në një prej kullave në qendër të Tiranës, ku mendohet se ishin një nga zyrat e call centerit. Nga kontrollet, të paktën 12 persona janë arrestuar deri pasditen e së shtunës.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan kompjuterë dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me mashtrimin e qytetarëve të Bashkimit Europian. Hetimet në Shqipëri po ndiqen nga prokurori i SPAK, Ened Nakuçi dhe një prokuror i huaj.
Mësohet se ky grup përdorte një skemë të mirë menduar për të humbur gjurmët, duke ndërruar herë pas herë ambientet me qira ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm.
Skema bazohet në telefonata që premtojnë fitime të lehta dhe platforma dixhitale që simulojnë investime në situata të cilat në fakt nuk ekzistojnë. Përmes rrëfimit të një burimi të brendshëm, u gjurmuan nivelet më të larta të organizatës, duke përfshirë identifikimin e personit përgjegjës për rekrutimin e personelit të qendrave të thirrjeve në Shqipëri.
Konkretisht operatorët kërkojnë një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksione. Kur qytetarët pranojnë të bëjnë investimin fillestar, atyre ju lejohet aksesi në një ëebsajt ku ju shfaqet një shumë prej 50 mijë eurosh, që u prezantohet nga operatori si llogaria e tyre personale.
Kur qytetari vendos të tërheqë paratë, në sistem u shkruhet se duhet të kryejnë një transfertë të re për të bërë të mundur tërheqjen e fondeve. Në këtë mënyrë shuma që u vidhej qytetarëve shumëfishohej, derisa ata e kuptonin se nuk do të mund t’i marrin kurrë paratë e tyre. Autoritetet kanë zbuluar gjurmë të personave përgjegjës për vjedhjet, gjurmë të cilat i kanë sjellë edhe në Shqipëri.