E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, deklaroi sot se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve mbetet një prioritet kyç për SHBA-në.
(Mesazhi tingëllon për veshët e qeverisë shqiptare, e cila jo vetëm nuk arreston figurat e krimit të organizuar në kërkim nga SPAK, por i ruan me segmente policore, ndërsa u jep leje për kulla dhe resorte, duke u mundësuar fuqizimin përmes pastrimit të parave. Gjithashtu, figurat e krimit të organizuar marrin çdo vit qindra mijëra euro para publike nga pushteti përmes tenderave dhe koncensioneve publike. Krerët e grupeve të drogës kanë përlarë e edhe fondet e BE-së për Bujqësinë, marrin pasuri publike me vendime qeverie, ndërsa janë shpallur edhe investitor strategjikë. Kokat e grupeve kriminale kanë emëruar drejtorët e tyre në pozicionet kyçe të administratës publike sidomos në polici, AMP, ministri dhe bashki).
Deklarata e fortë u artikulua gjatë fjalimit të saj në përfundim të trajnimit të FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve, ku të pranishëm ishin edhe kreu i SPAK, Klodian Braho dhe ai i BKH, Joni Keta.
Në fjalën e saj diplomatja e lartë amerikane nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara, duke kujtuar thirrjen e Presidentit Donald Trump për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar.
VanHorn theksoi se këto grupe përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara dhe teknologji moderne, duke krijuar kërcënime serioze për sigurinë kombëtare.
Fjala e plotë e të dërguarës me punë të SHBA-ve:
Faleminderit Rektor Mandro, Kryeprokuror i Posaçëm Braho dhe Drejtor Keta që na jeni bashkuar për të shënuar përfundimin e këtij trajnimi të rëndësishëm. Dhe dua të falënderoj gjithashtu kolegët tanë të FBI-së Brendan Collins dhe Kala, është kënaqësi t’ju shoh përsëri, Joe Danneff nga Ekipi i FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve, të cilët ndanë ekspertizën e tyre.
Pra, kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne. Dhe kur Presidenti Trump bëri thirrje për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ai nënvizoi se këta kriminelë përdorin sjellje “të ndërlikuara të përshtatjes”, duke krijuar kërcënime të pazakonta dhe në zhvillim për sigurinë tonë kombëtare.
Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv.
Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.
Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne.
Dhe përmes këtij trajnimi, ju tani keni mjete të reja hetimore dhe aftësi analitike për të shfrytëzuar të dhënat celulare në hetimet penale. Kjo përmirëson hetimet tuaja, duke siguruar gjithashtu respektimin e standardeve më të larta ligjore dhe etike.
Dhe ju tani keni pajisje dhe aftësi të reja për hetime të përmirësuara që do të çojnë në më shumë ndjekje penale dhe dënime më të forta të pjesëtarëve të krimit të organizuar.
Ndaj, urime për përfundimin e këtij kursi dhe faleminderit që më lejuat të jem me ju sot.