Në letër, kjo pamje pritet të mos ndodhë më në sesionin e ri parlamentar që nis më 19 janar, pasi Kryetari i Kuvendit ka bërë gati një plan veprimi të institucionit që drejton, duke marrë parasysh edhe rekomandimet e KE-së. Në këtë dokument që A2CNN e disponon, kryeparlamentari synon të rrisë dialogun politik. Për t’i ardhur në ndihmë planit të tij, Niko Peleshi ka planifikuar takime periodike me grupet parlamentare.
Sjellja e deputetëve jo pak ka shqetësuar mazhorancën qeverisëse, prandaj Peleshi mendon se ka ardhur koha për të ndryshuar Kodin e Sjelljes që lidhet me takimet e deputetëve apo lobimet. Gjithashtu, ai mendon se deputetët kanë nevojë për “leksione” periodike për t’u njohur me rregullat e sjelljes.
Ama sjellja e deputetëve nuk do të lihet vetëm me këshillim. As në këtë sesion të ri, ashtu si në vitin e vjetër, nuk do të mungojnë masat disiplinore ndaj “rebelëve” që thyejnë rregullat. Për shkak të përjashtimeve, 6 deputetë demokratë nuk do të arrijnë të jenë në seancën e së hënës, pasi u dënuan në dhjetor me 30 ditë pune. Efektivisht, Niko Peleshi është i vendosur që kësaj here institucioni që ai drejton të mos jetë vetëm noter i qeverisë, edhe pse pikërisht për këtë arsye PD kërkoi shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se u përgjigjet vetëm urdhrave të kryeministrit Rama.