Deputeti demokrat Belind Këlliçi është djersitur dje për 90 minuta para hetuesve në SPAK, teksa është pyetur për burimin e financimit të Kuvendit të Rithemelimit, 11 dhjetor 2021, ku Belo ka qenë një nga organizatorët bashkë me Flamur Nokën dhe Albana Vokshin. Pas daljes nga SPAK, Këlliçi tentoi t’a relativizionte marrjen e tij në pyetje, duke u shprehur se ishte thirrur “për një çështje periferike nga prokurori Arben Kraja”.

Në fakt bëhet fjalë për një nga çështjet më të rëndësishme në SPAK; Hetimin pasuror të Familjes Berisha. Është një fraksion hetimor i dosjes së ish Klubi Partizani. Krahas referimit të dosjes për gjykim, SPAK ka hapur një hetim pasuror për Familjen Berisha, duke ndjekur flukset e parave të pista, të cilat janë investuar në pasuri të paluajtshme, por një pjesë dyshohet se janë hedhur edhe për financimin e lëvizjes së Berishës për të rimarrë PD-në në dhjetor 2021.

Për paligjshmërinë e Kuvendit të Rithemelimit ka edhe një kallëzim penal të referuar në SPAK nga Gazment Bardhi. Në krye të të kallëzuarve është pikërisht Belind Këlliçi. Edhe pse kallëzimin e ka bërë për falsifikimin e vulave, asokohe Gaz Bardhi ka ngritur shqetësimin rreth paligjshmërisë së financimit të Rithemelimit, ndërsa kërkoi transparencë.
Askush në atë kohë nuk iu përgjigj pyetjes se kush financoi atë aktivitet, ku së paku u shpenzuan 1 milion euro, të llogaritura me infrastrukturën dhe mikpritjen e njerëzve. Burimi i këtyre shpenzimeve po hetohen aktualisht nga SPAK. Ka dyshime të forta se burimi i financimit është arka me para të pista të Shkëlzen Berishës.

Belind Këlliçi, i cili sapo doli dje nga dera e SPAK-ut shkoi me nxitim tek Berisha duke i raportuar se për çfarë e kanë pyetur dhe si është përgjigjur ai, dyshohet se ka qarkulluar paratë e pista të Shkëlzen Berishës për organizimin e Kuvendit të Rithemelimit në 11 dhjetor 2021.
Çfarë përmban realisht baza ligjore e kallëzimit?
Në kallëzimin penal janë referuar një sërë dispozitash që, të marra së bashku, e shndërrojnë çështjen nga një debat formal për “vula”, në një hetim të plotë penal me pasoja serioze.
Së pari, referenca te neni 190 i Kodit Penal ndëshkon falsifikimin dhe përdorimin e vulave, stampave ose formularëve të subjekteve juridike, përfshirë partitë politike. Dënimi shkon nga 6 muaj deri në 5 vjet burg dhe vlen jo vetëm për falsifikuesin, por edhe për këdo që i përdor këto akte me vetëdije.
Por këtu çështja nuk mbyllet.
Referimi i nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale e vendos dosjen drejtpërdrejt në kompetencën e SPAK, çka nënkupton se kemi të bëjmë ose me funksionarë të lartë politikë, ose me elementë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo nuk është thjesht për konsum politik, por ka pasojë të qartë juridike.
Më tej, nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale detyrojnë prokurorinë: të regjistrojë procedimin penal sapo ka indicie për vepër penale dhe të kryejë menjëherë veprimet e para hetimore: sekuestrime dokumentesh, akte financiare, materiale digjitale dhe çdo provë që rrezikon të zhduket.
Kjo do të thotë se hetimi nuk kufizohet te vula, por shtrihet te pasojat juridike dhe financiare që ka prodhuar përdorimi i saj.
Në këtë kuadër, përfshirja e ligjit nr. 95/2016, konkretisht nenet 8, 9, 10 dhe vijues, që rregullojnë funksionimin e SPAK dhe BKH, e bën të qartë se kemi të bëjmë me: hetim të specializuar, ndjekje të transaksioneve financiare dhe verifikim të çdo akti që lidhet me organizimin dhe financimin e një strukture politike paralele.
Pse padia nuk është “vetëm për vula”
Në praktikën penale, vula e falsifikuar nuk është qëllim në vetvete. Ajo është mjeti. Pyetja që heton SPAK është:
Për çfarë u përdor ajo? Çfarë aktesh prodhoi? Çfarë pasojash financiare dhe juridike solli?
Nëse vula e falsifikuar ka shërbyer për: krijimin e një strukture politike, autorizime,vendime, apo mbledhje fondesh, atëherë hetimi hapet automatikisht drejt financimit të paligjshëm, fshehjes së burimeve dhe, potencialisht, pastrimit të parave. Kjo është arsyeja pse kallëzimi është ndërtuar mbi një bazë ligjore shumë më të gjerë se sa përpiqen ta paraqesin “gaztorët” e politikës, që ndryshe thonë në mëngjes, ndryshe veprojnë në drekë dhe ndryshe sillen në darkë..
Sa vite burg rrezikon realisht Këlliçi
Nëse merret në konsideratë e gjithë baza ligjore e kallëzimit të Gazment Bardhit ndaj Belind Këlliçit, kemi: Neni 190 i Kodit Penal (6 muaj deri në 5 vjet burg për falsifikim dhe përdorim vule), ndërsa nëse nga hetimi provohen elementë financiarë penalë (fshehje, maskim, përdorim fondesh), atëherë dënimet shkojnë nga disa vite burg deri në mbi 10 vjet, sipas veprës konkrete që individualizohet gjatë hetimit.
Pra, padia ndaj Këlliçit nuk është një çështje thjesht ‘politike’ e thënë ashtu në ajër si ato për ‘babin e Zenit’, por është një akuzë penale, e ndërtuar mbi një bazë të qartë ligjore, e cila sigurisht ka pasoja nëse do të merret në konsideratë nga gjykata.