“U thirra për një çështje periferike nga prokurori Arben Kraja”. Kështu deklaroi deputeti demokrat Belind Këlliçi, teksa la ambientet e SPAK, ku u mor në pyetje për më shumë se 1 orë e 30 minuta. Për 90 minuta Këlliçi është djersitur para hetuesve.
Burimet thonë se bëhet fjalë për një çështje që lidhet me hetimin e pasurisë së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij, të birit Shkëlzen Berisha, të bijës Argita dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Është një fraksion hetimor i dosjes së ish Klubi Partizani. Krahas referimit të dosjes për gjykim, SPAK ka hapur një hetim pasuror për Familjen Berisha, duke ndjekur flukset e parave të pista, të cilat janë investuar në pasuri të paluajtshme.
Sipas të njëjtave burime, Këlliçi është pyetur lidhur me mënyrën e financimit të Kuvendit të Rithemelimit, 11 dhjetor 2021, ku deputeti ka qenë një nga organizatorët bashkë me Flamur Nokën dhe Albana Vokshin.
Për kujtesë, në 11 dhjetor Sali Berisha bashkë me të sipërpërmendurit organizuan një kuvend në stadiumin Air Albania, ku de facto morën drejtimin e PD dhe Berisha u vetëshpall kryetar i partisë.
Askush në atë kohë nuk iu përgjigj pyetjes se kush financoi atë aktivitet, ku së paku u shpenzuan 1 milion euro, të llogaritura me infrastrukturën dhe mikpritjen e njerëzve.
Por mesa duket, në sitën e SPAK-ut po kalojnë edhe këto shpenzime, që e kanë kapur gafil Belind Këlliçin, i cili me këtë rast e ka qepur gojën për Prokurorinë e Posaçme dhe nuk ka folur para gazetarëve.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të rezultojë pas hetimeve të SPAK-ut për këtë çështje. Ndërkaq, menjëherë pasi ka dalë nga dera e SPAK, Këlliçi ka shkuar për t’i raportuar Berishës në zyrë.