I riu i FRPD kritika para syve të Berishës: PD po riciklon dhe nuk po rigjeneron breza

Aktualitet

Publikuar: 12/01/2026

I riu i FRPD kritika para syve të Berishës: PD po riciklon dhe nuk po rigjeneron breza

Vetëm 20 minuta zgjati Foltorja e shtatë e Partisë Demokratike para Kryeministrisë, e cila ishte një kopje e atyre të mëparshmeve, me akuzat e zakonshme të kreut të PD, Sali Berisha.

Para pak mbështetësve, të cilët i ftohti i kishte rudhur në numër akoma më shumë, kryedemokrati tha se regjimin në Shqipëri, kudo që ta prekësh, rrjedh vetëm vjedhje.

Por ajo që ra në sy në protestën e sotme ishta fjala e një antari të FRPD, i cili kritikoi PD se po riciklon dhe nuk po rigjeneron breza.

“Edhe sot e gjykoj të gabuar imponimin kundrejt demokratëve të disa figurave të papëlqyera mes nesh. Madje i gjej krejt pa vend gradimin e tyre në pozita drejtuese brenda PD apo Grupit Parlamentar. Shkelmuam pa kuptim procesin që vet e pompuam aq fort si shembull të demokracisë së brendshme, Primaret.

Ju morëm hakun disa prej më të votuarve. Koncepti i demokratëve monark pas karriges, sidomos karriges opozitare, nuk i shkon PD si koncept. Çdokush ka një cikël politik. Të gjithë jemi të zëvendësishëm, dhe PD po riciklon, nuk po rigjeneron breza. Ndaj dhe në fund i morëm rezultatet zgjedhore,” u shpreh anëtari i PD.