Arrestimi i avokatit Uljan Bajrami pas debatit në gjyq, ILD përfundon hetimet: Shkelje etike nga ana e prokurorit

Kronike

Publikuar: 09/01/2026

Arrestimi i avokatit Uljan Bajrami pas debatit në gjyq, ILD përfundon hetimet: Shkelje etike nga ana e prokurorit

Prokurori Gjergji Ceka nuk e ka thyer disiplinën por gjithsesi ka shkelur etikën, një pikë për të cilën ILD thotë se do i drejtohet Këshillit të lartë të Prokurorisë për vlerësimin etiko profesional.
Ky është rezultati i inspektorit të Lartë të drejtësisë hapur mbas incidentin me avokatit Uljan Bajrami, i cili pas një debati në seancë gjyqësore u arrestua.

‘Debati përmbante qëndrime nga avokati, se do të merrej personalisht me prokurorin e të gjithë oficerët e policisë dhe kundërpërgjigjen e prokurorit, se avokati do arrestohej për këto deklarime. Rezulton që gjyqtarja t’i ketë tërhequr vëmendjen avokatit dhe prokurorit lidhur me etikën në sjellje ndaj njëri-tjetrit e për t’u fokusuar tek faktet, duke nënvizuar se janë ato që bindin gjykatën” deklaron inspektori për ngjarjen që solli reagimin e komunitetit të avokatëve pak kohë më parë.

ILD shton se prokurori nuk është vetpërmbajtur dhe ka shkelur rregullat e solemnitetit të gjykimit. Ndërkohë që për sjelljen e gjyqtares Megi Strakosha , ild deklaron se nuk konstatohet të ketë shkelur rregullat e solemnitetit dhe rregullat e sjelljes në marrëdhënie me palët.