Balluku në Gjirokastër jep lajmin e mirë: Vjosa ka rënë me 1.5 metra, situata është nën kontroll

Aktualitet

Publikuar: 08/01/2026

Balluku në Gjirokastër jep lajmin e mirë: Vjosa ka rënë me 1.5 metra, situata është nën kontroll

Situata e krijuar nga përmbytjet në jug të vendit po shkon drejt përmirësimit, falë rënies së nivelit të lumit Vjosa dhe stabilizimit gradual të kushteve të motit. Kështu u shpreh zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas mbledhjes emergjente të Komitetit të Emergjencave të zhvilluar në Qarkun e Gjirokastrës, ku u analizua gjendja aktuale dhe masat e marra në terren.

“Ka pasur një mbledhje emergjente të Komitetit të Emergjencave në qarkun e Gjirokastrës. Një lajm i mirë për zonat pranë Vjosës është se niveli i ujit ka rënë ndjeshëm”, deklaroi Balluku. Sipas saj, në pikën e matjes në Memaliaj, niveli i Vjosës ka zbritur nga 8 metra në 6.5 metra. “Kemi një ulje prej 1.5 metrash të nivelit të ujit, e cila do të reflektohet edhe në zonën e Novoselës”, theksoi ministrja, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për normalizimin e situatës.
Balluku bëri me dije se zonat më problematike janë inspektuar gjatë gjithë ditës nga strukturat përkatëse. “Këtë zonë e kemi inspektuar gjatë gjithë ditës dhe ky është një lajm i mirë që tregon përmirësimin e situatës”, u shpreh ajo.

Në lidhje me infrastrukturën rrugore, ministrja sqaroi se në qytetin e Gjirokastrës qarkullimi vijon normalisht. “Rrugët janë kryesisht të hapura, përpos disa fshatrave ku ka pasur bllokime si pasojë e reshjeve dhe përmbytjeve”, tha Balluku, duke shtuar se situata në përgjithësi mbetet nën kontroll.

Gjatë mbledhjes me kryetarët e bashkive, drejtuesit e qarqeve dhe prefektin, një vëmendje e veçantë iu kushtua planeve të evakuimit. “Kemi diskutuar për një plan evakuimi, i cili duhet të jetë i gatshëm në të gjitha bashkitë e prekura nga përmbytjet”, theksoi zëvendëskryeministrja, duke nënvizuar se siguria e banorëve mbetet prioritet absolut.

Sa i përket parashikimeve meteorologjike, Balluku bëri të ditur se moti pritet të përmirësohet në ditët në vijim. “Situata e motit është duke u përmirësuar, përpos ditës së shtunë, ndërsa temperaturat po vijnë në ulje”, deklaroi ajo.

Probleme janë evidentuar edhe në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të Gjirokastrës, por sipas ministres, ndërhyrjet kanë qenë të shpejta. “Ka pasur ndërprerje energjie në disa zona, por inxhinierët e OSHEE-së kanë punuar intensivisht dhe energjia është rikthyer në shumë prej tyre”, tha Balluku.

Ndërkohë, në aksin Tepelenë–Gjirokastër janë shënuar rrëshqitje dherash si pasojë e erozionit. “Ka pasur rrëshqitje që vijnë nga erozioni dhe po punojmë për të ndalur përhapjen e tij, në mënyrë që të garantojmë sigurinë e qarkullimit”, theksoi ministrja.

Belinda Balluku garantoi se institucionet janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa çdo ndërhyrje e nevojshme do të realizohet në kohë për të minimizuar dëmet dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.