“Vitin që do të vijë ne do të tërheqim të gjitha tarifat roaming midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”,-deklaroi më 13 tetor 2025, në Tranë, Ursula von der Leyen. Tre muaj më parë, shefja e Komisionit Evropian ju bëri shqiptarëve këtë premtim të madh: të udhëtosh në çdo vend anëtar të BE-së, pa u shqetësuar për tarifat e telefonit.
Ky nuk është ende një realitet, por qeveria ka hartuar ndryshime ligjore që i hapin rrugë këtij realiteti. Ligji i ri, është si një “pasaportë digjitale”: ashtu siç lëvizim të lirë nëpër Evropë, së shpejti edhe valët e telefonit tonë do të udhëtojnë pa “viza” tarifore, duke e bërë kufirin midis Tiranës dhe Brukselit të padukshëm në faturën tonë telefonike.
Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore për të ndryshuar ligjin “Për komunikimet elektronike”, me synimin e qartë, që do të thotë të komunikosh në Evropë me të njëjtat tarifa si brenda vendit.
Sipas relacionit, ky aksion është në një domosdoshmëri për integrimin e përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital të BE-së. Objektivi politik është që brenda vitit 2026, qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga tarifat e reduktuara, duke lehtësuar lëvizjen e lirë dhe duke përmirësuar klimën e biznesit midis Shqipërisë dhe vendeve anëtare.
Kompanitë celularë në Shqipëri do të jenë të detyruara të zbatojnë tarifat maksimale të miratuara nga AKEP, për të parandaluar abuzimet dhe për të garantuar që roaming-u të funksionojë si në shtëpi.
Për të garantuar që këto rregulla të mos mbeten vetëm në letër, ligji parashikon masa administrative me gjobë për të gjithë operatorët që nuk respektojnë rregullat e reja të roamingut.
Ligji i ri shihet si një hap strategjik për të forcuar ekonominë digjitale dhe për të ofruar përfitime direkte për xhepat e qytetarëve, duke thyer barrierat e komunikimit.
Edhe pse në relacion parashikimi është optimist që heqja e tarifave të ndodhë brenda këtij viti, projektligji parashikon se zbatimi i këtij regjimi pasi të nënshkruhen marrëveshjet bilaterale me BE-në, ku do të përcaktohet dhe data e telefonisë pas roaming.
/shqiptarja.cm