Kaos në aeroportin e Brindisit, Wizz Air devijon 2 fluturimet për në Tiranë; pasagjerët thyejnë gate-in

Aktualitet

Publikuar: 07/01/2026

Kaos në aeroportin e Brindisit, Wizz Air devijon 2 fluturimet për në Tiranë; pasagjerët thyejnë gate-in

Rreth 400 pasagjerë në dy fluturime Wizz Air me destinacion Tiranën nga Bolonja dhe Bergamo zbarkuan në Aeroportin e Brindisit në orën 3:00 të mëngjesit më 7 janar për shkak të motit të keq në aeroportin shqiptar. 

Sipas burimeve aeroportuale, ekuipazhet kanë qëndruar për një kohë të gjatë në hapësirën ajrore shqiptare në pritje të autorizimit për ulje, por për shkak të kushteve atmosferike dhe rezervave të ulëta të karburantit kanë vendosur devijimin.

Tensioni është rritur në orët e para të mëngjesit, kur pasagjerët kanë thyer portat e sigurisë dhe kanë hyrë në pistë, duke kërkuar sqarime nga kompania ajrore. Autoritetet aeroportuale konfirmojnë se pasagjerët kanë marrë asistencë menjëherë pas mbërritjes, por protesta ka vijuar. Forcat e policisë kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës, ndërsa rreth 100 persona kanë qëndruar ende në pistë.

Aeroporti i Pulias ka kërkuar udhëzime zyrtare nga Wizz Air dhe ka aktivizuar planin e emergjencës. Autoritetet kanë vënë në dispozicion autobusë për transportin e pasagjerëve drejt aeroporteve të nisjes, Bolonjës dhe Bergamos. Pasagjerët kanë refuzuar zgjidhjen dhe kanë kërkuar transport drejt Tiranës.

Kaos në aeroportin e Brindisit, Wizz Air devijon 2 fluturimet për

Pasagjerët në aeroportin e Brindisit

Aeroporti po monitorohet nga policia, karabinierët dhe oficerët e Guardia di Finanza për të parandaluar probleme të mëtejshme të rendit publik.

Aeroporti i Salentos ka vijuar operimin normal, pavarësisht protestës që mbetet ende aktive.