Drejtoria e Burgjeve ka reaguar lidhur me pretendimet e kryebashkiakut Erion Veliaj se fajtori për mosparaqitjen e tij në seancën paraprake të GJKKO-së, është bërë vonesa e eskortës shoqëruese të Policisë së Burgjeve nga paraburgimi i Durrësit drejt Tiranës.
Drejtoria e Burgjeve thotë se mjetet e policisë kanë qenë në kohë në ambientet e paraburgimit, por Veliaj ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se ishin me vonesë.
“DEKLARATË PËR SHTYP
Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”, njofton Drejtoria e Burgjeve.