Maduro dhe e shoqja u nxorën zvarrë, si u zbulua dhe çfarë është njësia sekrete ‘Delta Force’ që e rrëmbeu, më elitarja e ushtrisë amerikane, del fotoja e Presidentit me pranga

Botë

Publikuar: 03/01/2026

Maduro dhe e shoqja u nxorën zvarrë, si u zbulua dhe çfarë është njësia sekrete ‘Delta Force’ që e rrëmbeu, më elitarja e ushtrisë amerikane, del fotoja e Presidentit me pranga

Detaje të reja dhe tejet dramatike po dalin në dritë lidhur me operacionin amerikan për kapjen e presidentit venezuelas, Nicolás Maduro. Këtë herë, përveç rrëfimit të presidentit Donald Trump, raportime të ngjashme vijnë edhe nga CNN.

Sipas CNN, që citon dy burime të njohura me situatën, Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën në mes të natës, ndërsa ishin në gjumë, dhe u nxorën me forcë (zvarrë) nga dhoma e tyre e gjumit.

Raporti i CNN përputhet pjesërisht me deklaratat e Trump, i cili më herët kishte përshkruar rezidencën ku ndodhej Maduro si një strukturë e fortifikuar, “më shumë fortesë se sa shtëpi”, e pajisur me dyer çeliku dhe një hapësirë sigurie të projektuar për situata ekstreme.

“Ai po përpiqej të hynte në atë hapësirë sigurie, por u kap aq shpejt sa nuk ia doli,” ka deklaruar Trump, duke shtuar se forcat amerikane ishin të përgatitura edhe për të çarë çelikun, nëse do të ishte e nevojshme.

Sipas të njëjtave burime, operacioni u krye nga Delta Force, njësia elitare e Ushtrisë Amerikane dhe u zhvillua pa asnjë viktimë apo të plagosur nga pala amerikane.

Pas kapjes, Maduro dhe bashkëshortja e tij thuhet se u larguan nga territori venezuelas me helikopter, për t’u transferuar më pas në një anije që do t’i çonte drejt Shteteve të Bashkuara, konkretisht në New York.

Trump ka pohuar se e ndoqi operacionin në kohë reale nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago.

“Më dukej sikur po shikoja një shfaqje televizive,” është shprehur ai.

Megjithatë, edhe pse CNN raporton duke cituar burime të brendshme, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar publik nga Departamenti i Mbrojtjes apo Shtëpia e Bardhë, ndërsa autoritetet venezuelase nuk kanë dhënë një reagim të detajuar mbi këto pretendime.

Ngjarja, nëse konfirmohet plotësisht, do të përbënte një nga operacionet më të jashtëzakonshme ndërhyrëse të SHBA-ve kundër një kreu shteti në detyrë që prej rastit të Manuel Noriegas në Panama, në fund të viteve ’80.

Rrëmbeu Maduron në Venezuelë, çfarë është njësia sekrete ‘Delta Force’, më elitarja e ushtrisë amerikane

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u kap këtë mëngjes nga anëtarë të Delta Force, një nga njësitë më sekrete dhe elitare të ushtrisë amerikane.

Angazhimi i kësaj force tregon nivelin maksimal të rëndësisë dhe ndjeshmërisë së operacionit.

E njohur zyrtarisht si 1st Special Forces Operational Detachment–Delta (1st SFOD-D), Delta Force u themelua në vitin 1977 si përgjigje ndaj rritjes së terrorizmit ndërkombëtar.

Njësia u krijua me iniciativën e kolonelit Charlie Beckwith, i frymëzuar nga struktura dhe metodat e forcave speciale britanike SAS.

Edhe pse administrativisht është pjesë e Ushtrisë Amerikane, Delta Force vepron nën komandën e Joint Special Operations Command (JSOC) dhe raporton drejtpërdrejt në nivelet më të larta të qeverisë amerikane.

Ajo njihet edhe me emra të tjerë operacionalë si Combat Applications Group (CAG), “The Unit” apo Task Force Green, për shkak të natyrës së fshehtë të misioneve të saj.

Misionet kryesore të Delta Force përfshijnë kundër-terrorizmin, kapjen ose eliminimin e objektivave me vlerë të lartë, shpëtimin e pengjeve, operacionet e drejtpërdrejta dhe zbulimin e thellë.

Njësia përbëhet nga ekipe të vogla operatorësh shumë të trajnuar, të aftë të veprojnë në kushte ekstreme dhe në territore armiqësore.

Rekrutimi në Delta Force është jashtëzakonisht selektiv.

Kandidatët vijnë kryesisht nga Forcat Speciale (Green Berets) dhe Regjimenti i 75-të Ranger, ndërsa procesi i përzgjedhjes dhe trajnimit konsiderohet ndër më të vështirët në botë.

Vetëm një përqindje shumë e vogël e kandidatëve arrin të bëhet pjesë e njësisë.

Delta Force është e pajisur me armë dhe teknologji të avancuara, duke përfshirë pushkën HK416 dhe pajisje të specializuara për operacione urbane, ajrore dhe të fshehta.

Në avion me pranga në duar, del fotoja e parë Maduros pas kapjes nga forcat speciale amerikane

I ulur dhe i prangosur, me një kostum të bardhë (ndoshta pizhama), i rrethuar nga ushtarë amerikanë brenda një avioni.

Kështu shfaqet ish lideri venezuelian, Nicolás Maduro, në fotografinë e parë të realizuar pas kapjes së tij nga forcat speciale amerikane.

Më herët, në një intervistë për Fox News, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se presidenti venezuelian dhe zonja e parë po mbahen të ndaluara në anijen sulmuese amfibe USS Iwo Jima dhe janë duke shkuar për në Nju Jork për t’u ndjekur penalisht për trafik droge.

Ai zbuloi gjithashtu detaje të operacionit të forcave speciale të SHBA-së në Venezuelë herët këtë mëngjes.

“Ata janë duke shkuar për në Nju Jork. Ata janë paditur në Nju Jork. Fillimisht u çuan në një anije, Iwo Jima dhe do të vazhdojnë për në Nju Jork. U çuan me helikopter. Një fluturim i këndshëm, jam i sigurt se u pëlqeu”, tha më herët Trump.

Edhe pse presidenti nuk donte të zbulonte detaje të operacionit të forcave speciale para konferencës së tij të planifikuar për shtyp, ai tregoi se ishte një operacion kapjeje “i detajuar”, në të cilin sipas tij “ata praktikuan dhe planifikuan gjithçka”.

Sipas mediave amerikane, operacioni u krye nga një njësi e elitës Delta Force, e cila i nxori Maduron dhe Flores nga shtrati dhe i futi në një helikopter.

Gjatë operacionit, Trump pretendoi se njëri prej helikopterëve u godit nga të shtënat me armë zjarri, por nuk u raportuan viktima nga ushtria amerikane.

Si ra SHBA në gjurmët e Maduros? Burimi i CIA-s brenda qeverisë venezueliane ndihmoi…

Një burim i CIA-s brenda qeverisë venezueliane ndihmoi SHBA-të të gjurmonin vendndodhjen e Nicolas Maduros për operacionin e kapjes së tij nga njësia elitare Delta Force e ushtrisë amerikane, ka mësuar CBS News.

Burimi ishte pjesë e një rrjeti të gjerë të dhënash të tjera të inteligjencës, duke përfshirë inteligjencën ajrore dhe të sinjaleve, që informuan operacionin, i cili ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe partneriteti të kujdesshëm midis CIA-s dhe Departamentit të Mbrojtjes.

Qeveria amerikane kishte ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacionin që çonte në arrestimin e Maduros.