Gjenerali Dan Caine, Kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-ve, në konferencën e sotme për shtyp, ka dhënë detaje mbi operacionin e madh ushtarak që çoi në kapjen e Nicolás Maduro-s.
Ai e përshkroi ndërhyrjen si një operacion “diskret, i saktë dhe i zhvilluar gjatë orëve më të errëta të 2 janarit”, duke theksuar se ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe stërvitjes, një operacion që, sipas tij, vetëm ushtria amerikane mund ta kryente.
Caine shpjegoi se puna e disa agjencive kishte nisur prej muajsh, duke u mbështetur në dekada përvoje në integrimin e operacioneve komplekse ajrore, tokësore, detare dhe hapësinore.
“Ky mision kërkoi çdo komponent të forcës sonë të përbashkët, ushtarë, marinarë, pilotë, marinsa dhe gardianë, duke punuar në unison me komunitetin e inteligjencës dhe partnerët e rendit, në një operacion të paprecedentë,” tha ai.
Sipas gjeneralit, operacioni ishte aq i saktë sa përfshiu mbi 150 avionë të nisur në koordinim të ngushtë nga baza të ndryshme në Hemisferën Perëndimore, të cilët u bashkuan në kohën dhe vendin e duhur për të futur forcat speciale në qendër të Karakasit, duke ruajtur elementin e befasisë taktike.
Në fillim të dhjetorit, forcat ishin gati, në pritje të kushteve të përshtatshme.
“Thelbësore ishte zgjedhja e ditës së duhur për të minimizuar rrezikun për civilët, për të maksimizuar elementin e befasisë dhe për të sjellë të akuzuarit para drejtësisë,” tha ai, duke kujtuar se moti në Venezuelë është gjithmonë faktor në këtë periudhë të vitit.
Ai shtoi se gjatë javëve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, burrat dhe gratë e ushtrisë amerikane qëndruan gati, duke pritur me durim urdhrin e presidentit.
“Mbrëmë, moti u hap aq sa duhej, duke krijuar një korridor që vetëm pilotët më të aftë në botë mund ta navigonin, përmes oqeanit, maleve dhe reve të ulëta,” tha Caine.
Gjenerali konfirmoi se në orën 22:46 (sipas orës lokale), presidenti dha urdhrin për të nisur operacionin, duke u thënë trupave: “Fat të mbarë dhe shpejtësi nga Zoti.”
Këto fjalë u transmetuan në gjithë forcat e përbashkëta. Gjatë natës, avionë u ngritën nga 20 baza të ndryshme në tokë dhe në det në të gjithë Hemisferën Perëndimore.
Në total, mbi 150 avionë, përfshirë bombardues, avionë luftarakë, platforma inteligjence, survejimi dhe zbulimi, si dhe helikopterë, ishin në ajër gjatë operacionit.