Dokumentet / Ergys Verdho miliona euro pasuri të fshehura në emrin e të vëllai, zbulohet skema e kamuflimit në Greqi

Krim & Korrupsion

Publikuar: 31/12/2025

Dokumentet / Ergys Verdho miliona euro pasuri të fshehura në emrin e të vëllai, zbulohet skema e kamuflimit në Greqi

Nga Arben Llangozi

Në Shqipëri, drejtuesit e institucioneve publike rrallëherë zgjidhen për profesionalizëm apo integritet. Më shpesh, emërimet duken si produkt i besnikërisë politike dhe i një riciklimi të vazhdueshëm ku të njëjtët emra shfaqen herë në një institucion, herë në një tjetër. Sot energjia, nesër infrastruktura, pasnesër transporti, ndërsa përgjegjësia mbetet gjithmonë pa adresë.

Në këtë realitet, Ergys Verdho, ish drejtor i ARRSH, përmendet si një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin e pasurisë dhe transparencën e zyrtarëve të lartë publikë. Sipas dokumenteve dhe të dhënave që janë siguruar në shtetin grek, ekzistojnë dyshime për lidhje pronësore me pasuri të paluajtshme me vlerë miliona euro.

Nga dokumentacioni rezulton se këto pasuri fillimisht kanë qenë të regjistruara në emër të vëllait të tij, Andrea Verdho, ndërsa më pas ka pasur transferim të tyre, duke ngritur dyshime mbi pronësinë reale përfundimtare dhe mbi mënyrën e justifikimit të burimit financiar. Skema e përdorimit të familjarëve si pronarë formalë është një praktikë e njohur në rastet kur synohet shmangia e deklarimit real të pasurisë.

Nëse këto të dhëna konfirmohen, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që kërkon hetim institucional të menjëhershëm, a janë deklaruar këto pasuri sipas ligjit? A përputhen të ardhurat e ligjshme me vlerën e pronave? A ka pasur konflikt interesi apo fshehje pasurie? Pyetje legjitime, të cilat deri më sot mbeten pa përgjigje.

Po publikojmë dokumentacionin përkatës të pasurive me vlerë miliona euro dhe i bëjmë thirrje ILDKPKI-së dhe SPAK-ut të verifikojnë deklarimet e pasurisë, burimin e fondeve dhe çdo element që mund të përbëjë shkelje të interesit publik. Sepse në një shtet normal, drejtori nuk duhet të jetë më i pasur se institucioni që drejton!