Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin fiton zgjedhjet në Kosovë me 50 % të votave, simpatizantët në festë

Kryesore

Publikuar: 28/12/2025

Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin fiton zgjedhjet në Kosovë me 50 % të votave, simpatizantët në festë

Kosova tejkalon krizën e qeverisjes. Lëvizja Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin ka fituar bindshëm zgjedhjet në Kosovë, një rezultat që i jep mundësi të qeverisë e vetme. Kur janë numëruar mbi 80% e votave, Vetëvendosje është renditur e para me gati 50 për qind të votave.

PDK e dyta me 20 për qind, LDK e treta me 14,16 për qind dhe AAK me 6,57 për qind. Në Kosovë u zhvilluan sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, hera e dytë brenda këtij viti.

Mbi 2 milionë qytetarë u thirrën për shprehur vullnetin e tyre politik. Rezultati konsiderohet si “kyç” për kapërcimin e ngërçit që po i rëndon shumë ekonomisë, integrimit europian dhe marrëdhënieve me aleatët. Pjesëmarrja ishte më e lartë se ajo në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurti shpall fitoren e LVV-së: Më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media pas numërimit të mbi 96 për qind të qendrave të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ka shpallur fitoren e forcës politike që ai drejton, duke e cilësuar rezultatin si historik për vendin.

“Më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit”, u shpreh Kurti, duke theksuar se rezultati i këtyre zgjedhjeve tregon qartë mbështetjen e qytetarëve për vizionin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, LVV-në e pret një volum i madh pune në ditët dhe muajt në vijim, ndërsa theksoi se vota e qytetarëve është një përgjegjësi e shtuar për të ecur përpara pa vonesa. “Rezultati i sotëm na e ka bërë të qartë që duhet të ecim përpara pa humbur kohë”, deklaroi Kurti.

Ai nënvizoi rëndësinë e certifikimit sa më të shpejtë të rezultateve zgjedhore, në mënyrë që të fillojë procesi i krijimit të institucioneve të reja. “Sa më parë të certifikohen rezultatet, aq më shpejt duhet t’i krijojmë institucionet”, tha Kurti.

Kreu i LVV-së ftoi gjithashtu partitë e tjera politike për bashkëpunim në Kuvend, veçanërisht për çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe interesat strategjike të vendit.