Hetimet e SPAK për AKSHI-n zbulojnë jahtin luksoz të Ermal Beqirajt me vlerë 950 mijë euro, e kishte fshehur në emër të punonjëses së tij

Kronike

Publikuar: 26/12/2025

Hetimet e SPAK për AKSHI-n zbulojnë jahtin luksoz të Ermal Beqirajt me vlerë 950 mijë euro, e kishte fshehur në emër të punonjëses së tij

Hetimet e SPAK të nisura për çështjen e AKSHI-t, kanë zbuluar edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiraj. Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon mbi 950 mijë euro. Nga kontrollet e BKH-së, mjeti lundrues mësohet se është gjetur i ankoruar në Durrës.  

Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiraj. Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit.

“Në vijim, me qëllim verifikimin e të dhënave te konstatuara, te cilat rezultuan nga ushtrimi i këtij  kontrolli, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve te shoqërisë “EA Solution” sh.p.k. Këta shtetas në tërësi kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet, trajnimet e tyre i ka bërë shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet kjo shtetase rezulton të jetë e punësuar në shoqërine “Soft & Solutions” sh.p.k., madje në emër te saj rezulton edhe sendi i blerë nga Ermal Beqiri, mjeti lundrues Predator 50 Skyfall (jaht). Pasi janë trajnuar, punonjësit bëjnë me dije se kontratat janë lidhur me një shoqëri tjetër, të ndryshme nga “Soft & Solutions”, konkretisht me shoqërinë “EA Solutions”, thuhet në dosjen e SPAK. Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi akuzohen nga SPAK për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e grup i strukturuar kriminal. Ata dyshohet se kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tenderë shtetërorë.

/shqiptarja.com