Dosja e SPAK për korrupsionin me tenderat e rrugëve të Shqipërisë tregon se dora e madhe që ndan paratë publike si plaçkë lufte për oligarkët është Edi Rama dhe se Belinda Balluku bashkë me drejtorët e saj janë thjeshtë zbatues të skemës së përvetësimit të pasurisë së shqiptarëve. Në zyrën e Edi Ramës ndahen llokmat e mëdha të parave dhe pasurive publike, ndërsa ministrat dhe drejtorët përfitojnë çka mbetet nga sofra e madhe e pazarit në Kryeministri.
Implikimi i Edi Ramës duket se reflekton edhe mesazhin e tij për socialistë që ‘nëse biem, do biem të gjithë bashkë’, pra që do t’i marrë me vete, ndonëse jo të gjithë socialistët janë në pozitat e udhëheqësve të tyre. Po le të ndalemi në një episod konkret që ekspozon degradimin e pushtetit nga kupola socialiste, ku paratë në arkën e shtetit ndahen për klientët oligarkë, ndoshta duke pirë verë të shtrenjtë, për të cilën po flitet kaq shumë këto ditë.

Në 24 gusht 2021, zv/kryeministrja Belinda Ballullu i shkruan kreut të ARRSH-së se i kishte kërkuar kryeministri Edi Rama që të takonte oligarkun Ramë Geci, i cili kërkonte tenderin me vlerë 12 milionë euro me objekt ‘Ndërtim rruga Porto Romano Durrës loti 3’. Vis Berberi i përgjigjet se e kishte takuar atë ditë Ramë Geci kryeministrin. Këtë informacion Berberi e kishte marrë nga vetë Geci, pasi të dy kishin bërë një xhiro në kantierin e Unazës së Madhe.

Çfarë ndodh më tej?
Tre javë pas këtyre bisedave dhe takimeve, në 16 shtator 2021, ARRSH-ja me në krye Evis Berberin njofton procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Në 16 nëntor 2021, ARRSH-ja shpall fituese të tenderit kompaninë Geci shpk me pronar Ramë Gecin. ‘Oferta fituese’ e Ramë Gecit është pothuajse sa fondi limit. Meqenëse fituesi është caktuar me pazar në tavolinë janë skualifikuar ofertat e tjera më të ulëta.



Është një shembull ilustrues se si buxheti i shtetit ndahet për klientët oligarkë. Ramë Geci shkon tek Rama dhe i kërkon tenderin e radhës. Rama vë në lëvizje Ballukun. Nga ana e saj, Balluku vë në lëvizje Berberin. Ndërkaq, Berberi zbaton porosinë, kopsit letrat dhe i jep tenderin Ramë Gecit, i cili ka marrë rreth 90 milionë euro tendera publikë i vetëm dhe në bashkëpunim.
Ironia e dyfishtë
Provat dhe faktet tregojnë se Berisha nuk është koka, nuk është dora e madhe, por instrument zbatimi. Megjithatë, SPAK kërkon ‘kokën’ e saj, heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit. Oligarkët përfitues, të cilët kanë kërkuar dhe marrë favore të paligjshme në zyrën e Edi Ramës, deri tani nuk janë marrë nën përgjegjësi penale.
Ndërkaq, Bashkim Ulaj, Ramë Geci dhe Pëllumb Salillari janë tre protagonistët kryesorë të dosjes së SPAK për tenderat e rrugëve të Shqipërisë, si klientë të pushtetit dhe përfitues të parave publike në mënyrë të paligjshme dhe korruptive. Sali Berisha, i cili lexon përgjime në derën e SPAK-ut dhe që nuk lë skutë pa futur hundët, nuk i përmed kurrë. Mos vallë tre oligarkët, një pjesë të parave publike, i kanë ndarë si haraç me Familjen Berisha?!